19.5 C
Tirana
Wednesday, May 6, 2026

A po përdor postin si drejtues i Dhomës së Avokatisë për interesa të klientëve avokati me “famë botërore”?

Elmaz Hasanaga (profesion e lirë përkthyes)

Si fillim në median që vendosa të botoj këtë shkrim hasa vështirësi pasi themeluesi i saj nuk do të përzihet me raste që janë në proces, jo për frikë, por për të ruajtur dinjitetin njerëzor. Voicenews.al, mendon se abuzimi me detyrën duhet të marrë dënim për këdo, sigurisht edhe për Kreun e Bashkisë Erion Veliaj, por në dallim nga mediat e tjera nuk ka mbajtur anësi. Pra nuk i ka dhënë zë mbështetësve të Veliajt, por edhe nuk ka botuar çdolloj informacioni që servirin kundërshtarët e kryebashkiakut. Kjo bëhet në konceptin e themeluesit vetëm për të respektuar dinjitetin njerëzor, kushdo që ka shkelur ligjin të marrë dënimin, por gjithmonë në respektim të dinjitetit njerëzor, nëse Shqipëria do të jetë shtet i së drejtës si Bashkimi Europian (për të cilën duhen standarde të sanksionuar qartë me dhjetëra vendime të GJEDNJ-së). E bëra këtë hyrje sepse si media e re themeluesi ka zgjedhur të jetë me fanatizëm sa më “puritan”.

Të vijmë tek rasti që do trajtojmë në këtë analizë, tek avokati me “famë botërore” që mbahet mend si krye-postier që urdhëron vartësin të dërgojë paketa tek klienti. Nëse do ishte vetëm avokat, nuk do isha ulur të shkruaja këto rreshta, pasi është profesion i lirë, edhe përfaqëson veten dhe klientin, por qenia drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, nuk përfaqëson më vetëm veten. Për analogji sikur të dalë Prokurori i Përgjithshëm të flasë në emër të pozicionit të tij, për interesa personale të karrierës së tij, do ishte shkelje minimalisht etike, edhe maksimalisht shpërdorim detyre. Pse? E thjeshtë sepse kur flet në emër të organizmit që përfaqëson duhet minimalisht të marrësh miratimin me shkrim apo me votë të atyre që përfaqëson. Nga përgjimet e kryebashkiakut Veliaj, del qartë se ata që drejtojnë Dhomën e Avokatisë kanë përdorur pozicionin (e besuar me votë nga avokatët për të mbrojtur të drejtat e tyre) për çështje personale të klientëve. A u pyetën avokatët për punën e institucioneve të drejtësisë, që për kreun e tyre janë inekzistente. Po avokatët si mendojnë për institucionet e drejtësisë që sulmohen nga kreu i tyre? Nëse vërtetë do ishte parimor të ikte nga pozicioni si përfaqësues i problemeve të avokatëve dhe të kritikonte kë të donte (madje mund ti bashkoheshim edhe ne për disa aspekte që kanë nevojë për përmirësim) përfshirë edhe krerët e sistemit të drejtësisë. Ky është parimi i një udhëheqësi që vendos në fillim interesin e atyre që përfaqëson (jo klientëve, por avokatëve), përpara interesit personal.

Në fund, por jo nga rëndësia dhjetëra avokatë janë dënuar nga Komisioni i Etikës në Dhomën e Avokatisë (shumica me të drejtë) sepse kanë ngritur aludime për njerëzit e drejtësisë kur nuk përkonin vendimet e tyre me interesat e klientëve të tyre. Apo në këtë rast klientët janë qytetarë dhe jo kryetar bashkie! Ky shkrim ka si qëllim ruajtjen e integritetit të institutit të mbrojtësve ligjor (avokatëve) të cilët kanë 1001 halle dhe probleme, por askush nga drejtuesit e Dhomës së Avokatisë nuk gjen kohë për të reaguar. Sugjerimi jonë është i thjeshtë për avokatët, shqetësimet e tyre që të bëhen publike duhet t’i referohen drejtuesve të Dhomës nga një kabinë telefonike në burg, duke qenë më parë klient tek studiot e tyre ligjore.        

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat