26.5 C
Tirana
Wednesday, September 9, 2026

Nuk kanë marrë ende pagat e muajit gusht, administrata e Gjykatës së Tiranës dhe e Apelit në bojkot, do zhvillohet vetëm masat e sigurisë! 

Administrata e Gjykatës së Tiranës dhe ajo e Gjykatës së Apelit kanë nisur bojkotin për shkak të moskalimit të pagave të muajit gusht. Në Gjykatën e Tiranës, punonjësit e Dhomës Civile dhe asaj Penale kanë bllokuar shërbimet, ndërsa bojkotit i është bashkuar edhe administrata e Apelit. Mësohet se do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë.

Punonjësit kanë vënë në dijeni drejtuesit e Gjykatës për bojkotin, ndërsa u është komunikuar se do të ketë informacion apo një qëndrim pas mbledhjes së kryetarëve të të gjitha gjykatave, e parashikuar në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.

Për pagat e bllokuara janë mbledhur edhe drejtuesit e prokurorive. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka thirrur në takim drejtuesit e prokurorive të rretheve dhe Shoqatën e Prokurorëve të Shqipërisë, ndërsa të ftuar janë edhe anëtarët e KLP-së.

Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe kërkoi që ato të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se “dera e Thesarit të Shtetit”, ku kanë mbetur të bllokuara pagat e institucioneve të drejtësisë, nuk mund të hapet me forcë. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paralajmëruar se ngërçi do të zgjidhet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat