Praktika evropiane e ka jo vetëm nevojë, por edhe parim monitorimin institucional nga aktorë të jashtëm qofshin këta publikë, apo organizata të ndryshme. Shqipëria nuk bën përjashtim, edhe për shkak të një përafrimi ligjor me Bashkimin Evropian, si një detyrim për integrimin, ose më saktë plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga Kapitulli 23 i Bashkimit Evropian. Një prej institucioneve që është monitoruar është Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që përfaqëson një nga shtyllat më të rëndësishme të garantimit të integritetit dhe përgjegjshmërisë në sistemin gjyqësor. Në një kohë kur besimi i publikut ndaj drejtësisë është thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës, roli i këtij institucioni merr një rëndësi të veçantë, duke u shndërruar në një mekanizëm kyç për mbikëqyrjen dhe forcimin e standardeve profesionale dhe etike.
Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka qenë objekt i një procesi të vazhdueshëm monitorimi dhe vlerësimi nga institucione të tjera publike, organizata joqeveritare si dhe organizma të Bashkimit Evropian. Kjo mbikëqyrje e shumëanshme ka shërbyer jo vetëm si një garanci për transparencë dhe llogaridhënie, por edhe si një mundësi për të reflektuar dhe përmirësuar vazhdimisht performancën institucionale.
Rezultatet e këtyre vlerësimeve kanë qenë tejet pozitive, duke evidentuar një përmbushje të lartë të të gjithë komponentëve të matjes së performancës. Profesionalizmi në trajtimin e rasteve, paanshmëria në vendimmarrje, efikasiteti në procedurat administrative dhe respektimi rigoroz i ligjit janë vetëm disa nga elementët që kanë marrë vlerësim maksimal. Kjo dëshmon për një qasje serioze dhe të përgjegjshme ndaj detyrës, si dhe për një përkushtim të vazhdueshëm ndaj standardeve më të mira evropiane.
Gjithashtu, bashkëpunimi i hapur me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile ka qenë një faktor i rëndësishëm në këtë sukses. Ky bashkëpunim ka mundësuar shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një institucioni të fortë, të besueshëm dhe të orientuar drejt reformës.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë paraqitet si një model i mirëfunksionimit institucional, ku transparenca, profesionalizmi dhe integriteti ndërthuren në mënyrë harmonike. Vlerësimet pozitive nga aktorë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë nuk janë vetëm një tregues i arritjeve të deritanishme, por edhe një motivim për të vijuar me të njëjtin ritëm në forcimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në vend.
Përmes mekanizmave të kontrollit dhe transparencës, nga këto institucione, Inspektori i Lartë i Drejtësisë rezulton si një institucion që vepron në përputhje me ligjin, respekton të drejtat e qytetarëve dhe përdorimin e burimeve publike në mënyrë të përgjegjshme. Ky proces kontrolli nga institucione publike, BE, OJF, e të tjera ndihmojnë në identifikimin e shkeljeve të mundshme, duke krijuar mundësi për ndërhyrje dhe përmirësim të vazhdueshëm.
Në të njëjtën kohë, monitorimi rrit besimin e publikut ndaj institucioneve, pasi qytetarët ndihen më të sigurt kur ekzistojnë mekanizma që mbikëqyrin punën e administratës shtetërore. Sepse organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe institucionet e pavarura luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, duke kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës. Në këtë mënyrë, monitorimi nuk është vetëm një mjet kontrolli, por edhe një faktor kyç për zhvillimin demokratik dhe përmirësimin e qeverisjes.
Në këtë kuadër, informacionet e administruara nga Ministria e Financave, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe kontributet e organizatave të shoqërisë civile, nuk paraqiten thjesht si burime plotësuese, por si elemente thelbësore për një analizë të balancuar dhe të shumëanshme. Psh, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Ministria e Financave (MF) gjatë vitit 2024, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer auditimin financiar të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për periudhën 01.01.2021-31.12.2023. Në raportin përfundimtar të auditimit, vlerësohet rregullsia dhe përputhshmëria me kuadrin ligjor për sa i përket informacionit të pasqyrave financiare, të cilat siç shprehet në opinionin e auditimit, paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozitën financiare të institucionit, referuar kuadri rregullator në fuqi.
Në këtë raport, grupi i auditimit ka lënë 3 rekomandime lidhur me: Rekomandimi nr. 1 marrjen e masave për plotësimin e strukturës organizative të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Rekomandimi nr. 2 marrjen e masave nga ana e strukturave përgjegjëse gjatë procesit të parashikimit, zbatimit dhe rishikimit të buxhetit vjetor, me qëllim shmangien e ndryshimeve të shpeshta të zërave të planit buxhetor gjatë vitit. Rekomandimi nr. 3 marrjen e masave për kryerjen e plotë të procesit të inventarizimit fizik të aktiveve në institucion, (ky rekomandim i referohet gjetjes për moskryerjen e inventarizimit të aktiveve për vitin 2023, si rrjedhojë e rikonstruksionit, transferimit në ambiente të tjera dhe shtyrjes së afateve të punimeve të rikonstruksionit).
Për zbatimin e tre rekomandimeve të lëna në raportin përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka hartuar planin e masave dhe të aktiviteteve, të cilat ndiqen në vijimësi nga strukturat e ngarkuara. Gjatë vitit 2025, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë ushtruar 2 auditime, konkretisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Financave (Drejtoria e Harmonizimit të Menaxhimit Financiar, Kontrollit dhe Kontabilitetit). Një tjetër raport nga organizma të jashtme është ai i vitit 2025 nga projekti i asistencës së Bashkimit Evropian EU4Justice që ka analizuar hetimet disiplinore dhe kërkesat për procedim disiplinor bashkë me propozimet për caktimin e masave disiplinore të paraqitura nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, prej fillimit të funksionimit të institucionit. Në përmbajtjen e këtij raporti, argumentohet se vendimmarrjet e ILD në kuadër të procedurave disiplinore karakterizohen nga niveli i lartë teknik, detajimi dhe arsyetimi ligjor gjithëpërfshirës. Procedurat disiplinore në çdo rast kanë garantuar të drejtat për një proces të rregullt ligjor të magjistratëve subjekt të procesit disiplinor duke përfshirë të drejtën për t’u njohur me të gjitha aktet, të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të bërë parashtrime dhe në funksion të kontradiktoritetit janë dhënë argumentet përkatëse mbi shpjegimet e magjistratit.
Raporti ka theksuar cilësi të lartë të vendimmarrjeve në drejtim të paraqitjes së një arsyetimi të plotë të fakteve, duke specifikuar veprimet dhe sjelljen e magjistratit që përbëjnë elementet e shkeljes disiplinore si dhe analizë të të gjitha kritereve të propozimit të një mase disiplinore në proporcion me rëndësinë dhe pasojat e shkeljes. Projekti ka vlerësuar se, vendimmarrjet e ILD kanë realizuar objektivin kryesor të masave disiplinore i cili lidhet me mbrojtjen e interesit publik dhe efektin parandalues në kryerjen e shkeljeve të tjera disiplinore. Raporti evidenton rolin e ILD në mbrojtjen e reputacionit të magjistratit, si dhe vlerësimin e sjelljes në këndvështrim të respektimit të standardeve dhe rregullave etike në funksion të forcimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
Jo më pak i rëndësishëm ka qenë edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale KDIMDHP. Përgjatë vitit 2025 Inspektori i Lartë i Drejtësisë është monitoruar për indeksin e transparencës dhe është vlerësuar me 16 pikë, për të 16 treguesit e monitoruar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilat përfshijnë publikimin e procedurave që ndjekin funksionarët e lartë, rregulloret e brendshme, realizimi i buxhetit, regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, legjislacionin e të tjera.
Gjatë vitit 2024 Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vlerësuar me 12 pikë transparencën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të 12 treguesit e vendosur.
Vlerësim maksimal nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka pasur edhe për vitin 2023, ku Inspektori i Lartë i Drejtësisë është vlerësuar me 10 pikë, duke rezultuar me transparencë proaktive të lartë, duke përmbushur të gjithë treguesit e vendosur.
Për vitin 2022, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përmbushur maksimalisht treguesit e vendosur nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e vlerësuar me 8 pikë për 8 kriteret e transparencës proaktive. • Për vitin 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është vlerësuar me 0.5 pikë më pak në indeksin e transparencës proaktive nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ndërsa për vitin 2020, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka qenë në monitorim, pasi ishte viti i parë i funksionimit të institucionit.
Përfshirja e këtyre burimeve reflekton një kuptim bashkëkohor të konceptit të llogaridhënies publike, sipas të cilit vlerësimi i performancës institucionale nuk mund të mbështetet vetëm në të dhënat e brendshme, por kërkon një verifikim dhe pasurim të vazhdueshëm përmes mekanizmave të jashtëm të monitorimit dhe auditimit. Në këtë mënyrë, raportimi fiton një dimension më objektiv dhe më të besueshëm, duke kontribuar në rritjen e besimit të publikut ndaj institucioneve dhe proceseve të drejtësisë.
Një perspektivë e tillë mundëson ndërtimin e një pasqyre më të plotë mbi funksionimin e sistemit, duke e vendosur atë në raport me faktorë të shumanshëm që ndikojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në cilësinë e tij.
Në këtë kontekst, të dhënat dhe vlerësimet e prodhuara nga institucione publike me funksione monitoruese, auditimi dhe rregullatore, si dhe nga aktorë të shoqërisë civile, përbëjnë një burim të rëndësishëm për analizën e standardeve të qeverisjes, transparencës dhe llogaridhënies. Këto burime kontribuojnë në pasurimin e kuptimit mbi mënyrën se si zbatohen politikat publike, si administrohen burimet financiare, si respektohen rregullat e shërbimit civil dhe si garantohet e drejta e publikut për informim. Ndaj koha është tani, për të kërkuar të gjithë institucionet publike monitorimin e jashtëm, sepse, e vërteta mund të fshihet për pak, ose mund ta fshehin disa për pak, por del “ashiqare” në publik.

