Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj pyetjes nëse do të jetë kandidat për kryeministër në 2029 dhe la të nënkuptuar se do kandidojë për postin e kreut të qeverisë.
“Një mik timin, mik të çmuar, e kam uruar kryeministër kur ishte 95 vjeç, dhe po të lexosh për këtë, ai drejtoi me sukses të plotë atë qeveri. Por a do të jem unë si ai, kjo varet nga i madhi Zot dhe demokratët. Deri tani të garantoj se po ta pjestosh për dy moshën time, tregohet mosha reale”, tha Berisha.
Gjithashtu, Kryetari i Partisë Demokratike, akuzoi mediat kombëtare në vend për censurë ndaj opozitës dhe favorizim të qeverisë në edicionet informative. Berisha tha se monitorimi i kohës televizive gjatë javës së fundit tregon sipas tij një pabarazi të theksuar mes hapësirës që i jepet qeverisë dhe opozitës, duke e cilësuar situatën si tipike të një diktature autoritare.
Sipas tij, televizionet kombëtare kanë transmetuar në mënyrë disproporcionale aktivitetet e qeverisë, ndërsa opozita është lënë pothuajse jashtë edicioneve informative.

