14.1 C
Tirana
Thursday, November 26, 2026

ILD kërkoi masë disiplinore “Vërejtje publike” për shkeljet e konstatuara nga hetimi disiplinor, KLGJ “fal” gjyqtaren e Beratit

Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”, ndaj magjistrates L. Zh., gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për përllogaritje të gabuar të periudhës së vuajtjes së dënimit.

Hetimi disiplinor me iniciativë i ILD-së kishte konstatuar një analizë juridike të paplotë të gjyqtares në përllogaritjen e periudhës së dënimit të një të dënuari, duke pas sjellë moszbatimin e drejtë e të plotë të dispozitave ligjore për përllogariten e pjesës së pavuajtur të dënimit, si dhe për njohjen e periudhës së paraburgimit të vuajtur jashtë territorit të Shqipërisë për qëllime ekstradimi.

Këto mangësi kanë ndikuar në vijimin e privimit të lirisë së të dënuarit përtej datës në të cilën, sipas përllogaritjes së evidentuar nga hetimi disiplinor, dënimi duhej të kishte përfunduar. Për rrjedhojë, raporti i ILD vëren se është cenuar një e drejtë themelore e individit, si dhe besimi i publikut në sistemin e drejtësisë, e më tej, këto veprime e mosveprime të konstatuara nga gjyqtarja L.Zh., krijojnë rrezikun e përsëritjes së standardeve të gabuara në çështje të ngjashme, që lidhen me bashkimin dhe ekzekutimin e dënimeve, me pasoja të mundshme për lirinë e personave të tjerë të dënuar.

Hetimi i ILD-së konkludoi se gjyqtarja ka vepruar nga pakujdesia dhe mungesa e kujdesit të duhur profesional, duke i vlerësuar veprimet/mosveprimet e magjistrates si shkelje e lehtë disiplinore. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozoi KLGJ-së caktimin ndaj gjyqtares, të masës disiplinore “Vërejtje publike”, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 2, shkronja “c”, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kërkesë që u rrëzua nga Këshilli me shumicë votash.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat