Zilie Feçi (marrë nga shkrimet në rrjetet sociale të autores)
Ka një lloj lodhjeje që nuk largohet me gjumë, me pushim apo me një fundjavë të qetë. Është ajo që të lodh mendjen përpara se të të lodhë trupin. Ajo që vjen nga mendimet e pafundme, nga pritja, nga pasiguria dhe nga një frikë që edhe kur nuk e përmend është gjithmonë aty.
Unë jam e lodhur. Jo sepse kam hequr dorë nga jeta, as sepse më mungon dëshira për të vazhduar. Jam e lodhur sepse kanceri më rri në kokë. Sepse, edhe në momentet kur qesh, punoj, vishem bukur apo merrem me gjëra krejt të zakonshme, diku brenda meje ekziston një mendim që nuk largohet. Dhe ende nuk e kam nisur kimioterapinë. Është e çuditshme si mund të të lodhë kaq shumë edhe ajo që ende nuk ka filluar. Ndonjëherë nuk kam nevojë për këshilla, as për fjalë ngushëlluese. Kam nevojë thjesht të mos jem e fortë për pak çaste. Të mos shpjegoj pse jam e heshtur, pse nuk kam humor, pse lodhem edhe pa bërë asgjë.
Dhe diçka dua t’ua them miqve të mi, e sidomos atyre që numërohen me gishtat e dorës që prej muajit gusht (kështu kam zgjedhur unë). Mos hiqni dorë nga unë edhe në ditët kur nuk jam aq solare sa më njihni. Në ditët kur hesht më shumë, kur nuk kam të njëjtin humor, kur ndoshta përgjigjem shkurt apo nuk arrij t’ju jap energjinë dhe ngrohtësinë që kam dhënë gjithmonë. Nuk është mungesë dashurie, as largim prej jush. Thjesht ka ditë kur beteja brenda kokës sime më merr më shumë energji sesa mund të imagjinoni. Nëse ndonjëherë ju kam mërzitur, ju kam lënduar pa dashje apo nuk kam qenë aty siç do të doja, më falni. Mos e merrni personalisht lodhjen time. Unë ende jam po ajo, thjesht po kaloj një periudhë në të cilën edhe vetes sime ndonjëherë e kam të vështirë t’i jap shpjegime.
Dhe e fundit fare për ju! Mos më doni vetëm në ditët kur edhe unë vetë mendon se shkëlqej. Ndonjëherë kam më shumë nevojë për ju pikërisht në ditët kur drita ime zbehet pak. Sepse pa ju lodhja më shtohet.

