18.2 C
Tirana
Wednesday, October 7, 2026

Merr fund kriza, me 81 vota pro, Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Republikës së Kosovës (Mesazhi i parë)

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës, pas votimit të zhvilluar në Kuvend. Shiroka-Pula mori mbështetjen e 81 deputetëve, ndërsa dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme. Një votë shkoi për deputeten Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në krye të shtetit, presidentja e re iu drejtua deputetëve me një fjalim, ku deklaroi se e merr detyrën me nder dhe përgjegjësi të plotë. “Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Presidentja e re u zotua se gjatë mandatit të saj do të përfaqësojë të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht dallimeve politike, etnike apo shoqërore. “Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Kush është Presidentja e re e Kosovës

Shiroka-Pula është doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën e doktoratës me titull “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.

Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme ndërkombëtare.

Pas përfundimit të luftës, Shiroka-Pula është angazhuar edhe në shoqërinë civile, kryesisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Në politikë, ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011. Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat