Kryeministri Edi Rama prezantoi sot ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të përfshira në Paketën e Re të Garancive Procedurale, e cila prek rreth një të pestën e Kodit dhe përmban 105 nene. Rama deklaroi se këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale nuk i heqin prokurorisë kompetencat për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht, “por ndryshon mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcon atë që na mungon dramatikisht, kontrollin e gjykatës mbi to.”
Paketa e gjerë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e cila prek drejtpërdrejt mënyrën se si prokurorët sigurojnë dhe administrojnë provat, kontrollojnë telefonat e sekuestruar dhe kërkojnë masën e arrestit me burg. Rregullat, sipas ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, do të jenë të njëjta për të gjithë, çka do të thotë se do të zbatohen edhe në procedimet e SPAK.
Paketa u prezantua këtë të mërkurë nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili e cilësoi paraburgimin si një prej pikave kryesore të reformës, por bëri të qartë se ndërhyrja shkon shumë më tej. “Paraburgimi është pjesa më e dukshme e kësaj reforme, por jo e vetmja”, deklaroi Gogu.
Një prej ndryshimeve me ndikimin më të drejtpërdrejtë në punën e prokurorisë lidhet me telefonat celularë. Sipas ministrit, sekuestrimi fizik i një telefoni nuk do të nënkuptojë akses të pakufizuar të hetuesve në të gjithë përmbajtjen e tij. “Sekuestrimi i telefonit personal do të japë akses vetëm në të dhënat që vendos gjykata”, tha Gogu.
Ky parashikim vendos një filtër gjyqësor mbi të dhënat që prokuroria mund të kontrollojë në një pajisje të sekuestruar. Në praktikë, rëndësi vendimtare do të ketë mënyra se si do të formulohet dispozita përfundimtare: sa konkret duhet të jetë autorizimi i gjykatës dhe çfarë procedure do të ndiqet nëse gjatë kontrollit të të dhënave të autorizuara dalin indicie për fakte apo vepra të tjera penale.
Kjo çështje merr rëndësi të veçantë edhe për hetimet e SPAK, ku provat elektronike mund të kenë rol të rëndësishëm në procedimet për korrupsion dhe krim të organizuar.
Vetë Gogu theksoi se kufizimet e reja nuk do të bëjnë dallim mes kategorive të personave që hetohen.
“Këto rregulla janë të njëjta për këdo që është duke u përballur me drejtësinë”, deklaroi ministri.
Në fokus edhe arresti me burg
Ndërhyrja tjetër e rëndësishme lidhet me masat e sigurimit dhe veçanërisht paraburgimin.
Fakti që Gogu e përcakton paraburgimin si “pjesën më të dukshme” të reformës tregon peshën që kjo çështje zë në paketën e re.
Ndryshimet vijnë pas një studimi të Këshillit të Europës mbi paraburgimin në Shqipëri. Vetë Gogu kishte deklaruar më 24 shtator se paketa do të përfshinte caktimin e masave të sigurimit, të drejtat e palëve, administrimin e provave dhe forcimin e garancive procedurale të individit.
Efekti konkret mbi kërkesat e prokurorisë për arrest me burg do të mund të vlerësohet pasi të shihet formulimi i plotë i dispozitave të propozuara. Por çdo ndryshim i standardeve për caktimin e masave të sigurimit do të jetë relevant edhe për SPAK dhe GJKKO, njësoj si për prokuroritë dhe gjykatat e tjera.
Prokurorit i shtohen detyrimet, mbrojtjes kompetenca
Paketa ndryshon edhe raportin mes akuzës dhe mbrojtjes gjatë hetimit.
“Ne propozojmë që prokurori të ketë detyrimin ta dokumentojë dhe vërë provat në dispozicion të burgosurit. Mbrojtja të ketë të drejtën për të hetuar”, deklaroi Gogu.
Krahas kësaj, ministri paralajmëroi forcimin e garancive edhe për personat që thirren si dëshmitarë: “Kush thirret si dëshmitar, duhet të gëzojë mbrojtjen e të dyshuarit”, tha ai.
Në tërësi, reforma do të prekë masat e sigurimit, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, provat dhe administrimin e tyre, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Garanci më të forta apo më pak hapësirë për hetimin? Këtu pritet të përqendrohet edhe debati për paketën. Nga njëra anë, kufizimi i aksesit në telefon dhe rishikimi i paraburgimit synojnë të forcojnë garancitë e individit përballë pushtetit të organeve të ndjekjes penale.
Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë nëse formulimi konkret i dispozitave do të krijojë kufizime të reja për prokurorët gjatë hetimeve komplekse, përfshirë ato të SPAK.
Veçanërisht e rëndësishme do të jetë përgjigjja që projektligji u jep disa pyetjeve: çfarë ndodh me provat e paparashikuara që mund të zbulohen në një telefon; sa i kufizuar do të jetë autorizimi fillestar i gjykatës; kur mund të zgjerohet kontrolli dhe çfarë standardi do të duhet të plotësojë prokuroria për të kërkuar arrestin me burg.
Gogu vetë theksoi se propozimet nuk janë ende përfundimtare: “Teksti nuk është hermetik, është projekt për konsultim.”
Pikërisht konsultimi dhe versioni përfundimtar i dispozitave do të tregojnë nëse reforma do të arrijë të forcojë të drejtat procedurale pa cenuar efektivitetin e hetimeve, apo nëse kufizimet e reja do t’ua vështirësojnë prokurorëve – përfshirë SPAK – përdorimin e instrumenteve që kanë sot në dispozicion.

