Në zgjedhjet e sotme parlamentare, të drejtën e votës e kanë rreth 2 milionë votues, prej të cilëve 105 mijë qytetarë që votojnë jashtë Kosovës. KQZ, ka njoftuar se janë shtypur fletëvotimet me një numër total prej rreth 1.8 milion fletëvotime, numër ky më i vogël se numri i votuesve, për shkak se në të gjitha zgjedhjet e mëparshme dalja e qytetarëve në zgjedhje nuk ishte më shumë se 50% e votuesve me të drejtë vote. Zgjedhjet e përgjithshme mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse përfaqësuesit e tyre patën bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2023. Por kësaj radhe disa subjekte të vogla politike, edhe Lista Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës merr pjesë në zgjedhje.
Kosova imitoi Shqipërinë, fushatë me batuta jo me alternativa
Subjektet politike që synojnë të qeverisin për mandantin e ardhshëm 4 vjeҫar shpalosën programet e tyre zgjedhore nëpërmjet denigrimit të kundërshtarëve. Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Dempokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Gjatë një muaji, fushata zgjedhore në Kosovë u përshkua me një gjuhë jo pak nxitëse dhe të urrejtjes, por, nuk u shënua ndonjë incident. “Trendi i përdorimit të gjuhës dhe diskursit nxitës apo të urrejtjes në fushatë, ka vijuar gjatë gjithë kohës, pavarësisht gjobave të shqiptuara nga një panel zgjedhor PZAP, pikërisht për raste të tilla”, konstatoi rrjeti i organizatave joqeveritare DnV që monitoron procesin zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues ndërkombëtar nga 18 vende të Bashkimit Evropian, nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës. Më shumë se 200 ushtarë italian të KFOR-it, ju shtuan trupave tjerë të KFOR-it, një njësi e specializuar e policisë së misionit EULEX dhe mijëra policë të Kosovës do të jenë të pranishëm pranë qendrave të votimit për të siguruar një ambient të qetë dhe proces të rregullt të zgjedhjeve të përgjithshme.