Redaksionale
Që mos të “eksitohen” mendërisht turma e protestuesve, (si për ironi akuzojnë se pushteti nuk pranon mendim ndryshe, ama kush ka mendim ndryshe për protestën e shpallin non grada, pro qeveritar, shoqëruar me sharje me libër shtëpie) ne si media e kemi thënë kaherë publikisht qëndrimin tonë: Rama dhe Berisha duhet të pensionohen politikisht, madje në një shkrim redaksional kemi kërkuar publikisht që Kryeministri të hapi krahun. Protesta që po ndodh rrugëve të Tiranës, edhe në disa qytete të tjera çon ujë në mullirin e Ramës (ky i fundit e kapi me vonesë, megjithëse është ekspert) pasi jep imazhin që në Shqipëri lulëzon demokracia, sa edhe ndjeshmëria për flamengot mund të shkaktojë revoltë!
Protestuesit me një mesazh thelbësor po tentojnë t’i futen në “tavë” PD dhe opozitës (më mirë protestuesit se opozita zyrtare) duke artikuluar tezën: “opozita jemi ne”. Aktualisht kemi në parlament një opozitë në dukje të blerë, që bën sikur bën opozitë, ama kur e kritikon të sulen me ‘libër shpie’ më keq se pushteti. Pra opozita më saktë Berisha me të emëruarit e tij nuk duan t’i futet në hise asnjë faktor tjetër, edhe infiltrohen për të kap me disa element protestën (s’po merremi me emra edhe pse i kemi, por nuk është ky thelbi shkrimit). Nga ana tjetër në shesh kanë dalë qytetar që jetojnë mirë, me rroga mesatare mbi 1500 euro, pra troç shtresa e mesme (nëse mund ta quajmë të tillë) ato që kanë jetë aktive në rrjetet sociale, ndjekin ‘trendet’, shkojnë me pushime në vende ku 80% e shqiptarëve nuk kanë takat, luajnë sporte elitare që kushtojnë 50 euro ora, etj., etj.
Ka një pjesë protestuesish të lëçitur, bëjnë parrudha interesante, meme shpotitëse, por ama edhe ky është territor i Ramës i cili herët a vonë do e marrë si kapital për vetën dhe do ketë justifikim edhe për ca ndryshime në qeveri. Turma si në kohën e shokut Enver do duartrokasë se do gjendet ndonjë grup armiqësor të cilët janë fajtor për varfërinë dhe hallet e vendit. Pra e gjithë protesta do përkthehet në perceptim ndërkombëtar që shqiptarët kanë standarde, luajnë ‘padel’, kanë dobësi për shpendët ekzotik, debatojnë në distancë me Kryeministrin, duan cilësi në parametrat e mjedisit, tamam si popujt e vendeve Nordike që janë të famshëm për standardet e larta të jetesës, demokracisë dhe jo vetëm.
Këtu Edi Rama për fatin e tij politik apo edhe aftësisë për ta orientuar një protestë që si mesazh primar ka tregimin në sytë e botës që Shqipëria është një vend me standarde të larta. Në fakt Rama arriti të pengojë atë protestuesin që lufton për copën e bukës, atë pensionistin që tretët në varfëri, atë punëtorin që blen një bluze sintetike vetëm për sebepe dhe një palë këpucë njëherë në dy vite, ata që s’kanë mundësi të kurohen, ose për ilustrim popullin e tortës të pavarësisë. Të gjithë e mbajnë mend, kur na thuhej se po jetojmë në kohën e Sali Bollëkut, por në fakt ju turrëm tortës së pavarësisë, se helbete shumica vetëm për ndonjë ditëlindje mund të shijonte ëmbëlsirë. Protesta e sotme pengoi pikërisht shumicën e shqiptarëve që ishte gati të shpërthente edhe tamam si tek torta e pavarësisë do e ‘hanin me gjithë lecka” Ramën. Nuk do i jepej mundësia Kryeministrit të bënte komedianin të kapte ‘prime’ në mediat botërore, të dilte si Kryeministër i një populli që ka shqetësim për shpendët ekzotik.
Ne si media mendojmë që Kryeministri Rama ka në dorë çelësat e një vendi, 80% e të cilit e dëgjuan për flamengon për herë të parë këto ditë. Kryeministrit ju donte një narrativë e re, pasi me integrimin kati “sukses” por edhe sloganin opozita e non gradave nuk po ngjiste. Shkurt Kryeministri s’po gjente dot narrativen e radhës, edhe hodhi benzinë tek protesta, duke çuar atje edhe disa rrogëtar të tij.
PS: Ky shkrim nëse keni kuriozitet si protestues është paguar nga Rama. Nëse keni kuriozitet si patronazhist është paguar nga Soros me kripto, Irani me naftë dhe Greqia me pushime falas. Nëse keni kuriozitet si PD-ista, kuptohet që më ka paguar klani i Zemunit. Rroftë populli i tortës së pavarësisë dhe shqiptarët e ndershëm. Për ju që e keni në terezi dhe protestoni ju jap thjeshtë një ‘like’.

