23 C
Tirana
Tuesday, June 9, 2026

I zhdukur prej 5 ditësh! Hetimet konkludojnë se Eglant Koçi është ekzekutuar nga shoku i ngushtë (Detaje+emra të përfshirë)

Edhe pse pa bujë të madhe mediatike, zhdukja misterioze e 34-vjeçarit Eglant Koçi, pasditen e 4 qershorit në Tiranë, vijon të jetë në sitën e hetimeve, teksa detaje të reja kanë dalë në dritë.

Koçi, u denoncua i zhdukur nga familjarët në polici më datë 5 qershor dhe nga hetimet e deritanishme ka dyshime se i riu është marrë peng dhe është ekzekutuar.

Sipas policisë, ai është parë për herë të fundit në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”, ku dyshohet se është marrë peng, në rrethana ende të paqarta nga shtetasit, Armand Shakaj, 41-vjeç dhe Enea Zyferi 25-vjeç.

Sipas policisë, grupi hetimor ka arritur të gjejë motorin e Koçit dhe vendin ku dyshohet se është mbajtur peng, por deri më tani nuk janë bërë të ditur për shkak të hetimeve.

Po ashtu raportohet se nga kamerat e sigurisë është parë që, prej aty del me makinë autori i dyshuar, Armand Shakaj, dhe dyshimet janë se me vete në automjet, të ketë pasur edhe pengun.

Në makinë, burime policore thonë se janë konstatuar njolla gjaku, që kanë ngritur dyshimet se Koçi mund të jetë ekzekutuar, por deri më tani nuk ka ende një pistë të qartë për fatin e tij. Automjeti është gjetur në ambjentet e një lavazhi në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku Shakaj, besohet se e ka çuar për ta larë dhe pastruar nga njollat e gjakut, për të zhdukur provat e krimit.

Po ashtu thuhet se, autori i pengmarrjes Armand Shakaj, njihej si shok i ngushtë i Eglant Koçit. Ai ishte pronar i një lokali në Tiranë, ku kishte punësuar si kamarier Enea Zyferin. Të dy kanë marrë peng Koçin, ndërsa nuk dihen ende arsyet.

Lidhja me kriptot

Sipas raportimeve, Koçi rezultonte i punësuar në një biznes mobilierie, por dyshohet se mund të jetë përfshirë në tregti të kriptovalutave, një prej pistave ku po hetohet.

Gazetari Artan Hoxha, pak ditë më parë ka deklaruar se Koçi ishte postieri që shkonte te zyrat e këmbimit për të këmbyer kriptomonedhat me cash.

Sipas tij te 5 maji një person i panjohur, ka lënë motorrin e Koçit dhe është larguar. Ka dyshime se kjo lëvizje sipas tij është bërë për të humbur gjurmët.

“Kjo ngjarje, e datës 4 qershor, një i ri Eglant Koçi, është zhdukur pa lënë gjurmë nuk ka asnjë informacion. Punonte si postier midis disa pikave të këmbimit valuator për kriptomonedhat. Ky është rasti i rradhës dhe besoj se në të ardhmen do të kemi probleme të ngjashme me këtë. Duhet bërë apel që nëse është i gjallë, kushdo që mund të ndihmojë do të ishte e vlefshme si informacion. Policia dhe familja janë munduar. Janë parë lëvizjet. Për herë të fundit e kanë parë te sheshi Wilson. Ka fikur telefonin dhe nuk është përgjigjur. Ai ishte postieri që shkonte te change për të këmbyer kriptomonedhat me cash. Në llogarinë që ka ai nuk është lëvizur. Te 5 maji një person i panjohur, ka lënë motorrin e personit të humbur dhe është larguar. Kjo mund të jetë bërë edhe për të humbur gjurmët, pasi motorri është gjetur të nesërmen. Sa më shumë kohë kalon nga momenti i rrëmbimit, aq më pak janë shanset që të gjendet personi. Janë shtuar shumë këto rrëmbimet. Kemi rrëmbime personash nga Saranda deri në Shkodër. Sa më shumë të ketë raste rrëmbimesh dhe mos zbulim të tyre, bëhet problematike”– tha gazetari Hoxha.

Çfarë thotë policia për ngjarjen?

Lidhur me ngjarjen, policia thotë se ka shpallur në kërkim autorin e pengmarrjes, shtetasin Armand Shakaj, ndërsa ka vënë në pranga, ndihmësin e tij, Enea Zyferin. Ky i fundit deri më tani nuk ka dhënë detaje që mund të ndihmojnë më tej policinë, por ka dyshime se ka qenë me shefin e tij, kur 34-vjeçari është mbajtur peng.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin. Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit. Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast. Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K”,- thuhet në njoftimin e Policisë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat