Një zjarr ka rënë pak pas mesnate në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, në kompleksin rezidencial “Kadiu”. Sipas raportimeve, flakët dyshohet se janë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa tymi i dendur është përhapur me shpejtësi në ambientet e pallatit, duke detyruar evakuimin e banorëve.
Si pasojë e incidentit, një banore ka pësuar asfiksi nga tymi dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkaqet e plota të zjarrit.

