Italia mbetet një pikë referimi për FSHF, për Armand Dukën, pasi edhe këtë herë kreu i futbollit shqiptar ka vendosur t’i besojë stolin një tekniku “azzurr”. Rolando Maran është i përzgjedhuri i Dukës për të pasur Sylvinho-n në stolin kuqezi. Maran nuk është një emër i panjohur në Itali, por është një trajner me profil jo të lartë pasi në karrierën e tij ka drejtuar kryesisht ekipe në Serie B.
Aventura e tij e fundit ka qenë në krye të Brescia-s në sezonin 2024/25. Brescia ka qenë edhe ekipi i tij i parë si trajner profesionit në vitin 2005. Maran është pa një ekip që nga korriku i vitit 2025 ku u largua pikërisht nga Brescia. Tekniku 62-vjeçar ka drejtuar më herët edhe ekipe si Pisa, Genoa apo Cagliari.
Në Serie A, për herë të parë, Maran ka drejtuar ekipin e Catania në vitin 2012, ku vendosi edhe rekord teksa e mbylli sezonin në vendin e tetë duke grumbulluar 56 pikë në 38 ndeshje. Pas Dosena-s, De Biasi, Edy Reja dhe Panucci, Maran është trajneri i pestë italian që ulet në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Duka : “Do të bëjmë publik emrin e trajnerit të ri të Shqipërisë, që është në krahun tim, Rolando Maran. Mbyllëm një cikël me Silvinjon dhe stafin e tij, e falenderojmë për kontributin e tij në Kombëtare. Bashkë kemi kaluar një periudhë shumë të rëndësishme, me emocione, kemi qeshur dhe kemi qarë. Në futboll konsiderohet normale mbyllja e një cikli, ndahemi me konsensus. Hapim një cikël të ri me një trajner jo të ri në moshë, sicc është zoti Rolando Maran. Objektivat tona mbeten aty ku duam të jemi, vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi për në EURO 2028, dhe më pas për të vazhduar me objektivin që se kemi arritur asnjëherë për të qenë pjesë e Botërorit. Sdua të zgjatem më tepër, dua të falenderoj Silvinjon, Dorivën, Zabaletën, për kontributin dhe bashkëpunimin me Kombëtaren shqiptare. Iu uroj shumë suksese trajnerit Rolando Maran me Kombëtaren shqiptare, unë nuk bëra CV-në sepse është një emër i njohur duke qenë se ka trajnuar skuadra të rëndësishme si në Serinë A dhe B në Itali, dhe jam i sigurt që do të bëjë mirë në kualifikuese”, tha Duka.
Rolando Maran: “Dua të falenderoj presidentin për këtë mundësi për mua, falenderoj edhe Silvinjon për atë që ka bërë në këto vite. E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe kenmi gjithë komplimentat e mia. Po më jep mundësinë për të përfaqësuar një popull me krenari të madhe, që është afër shtëpive tuaja, është diçka që ndjehet kur flet me një tifoz shqiptar, dua të transmetoj këtë dashuri të madhe për këtë fanellë. Për mua është një impenjim që po ndërmarr, është diçka që e ndjej brenda, është shumë e fortë që po ndjej për këtë mision, të transmetojmë në fushë, atë që përfaqësoni”, tha ai.
Sylvinho i prekur: Sot kam emocione, ky është fundi i një cikli! Suksese trajnerit Maran
Trajneri në largim i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, foli në prezantimin e teknikut të ri të Shqipërisë, Rolando Maran. Ai u pa i prekur.
“Edhe për mua janë dy minuta me shumë emocion. Kemi vendosur që të mbyllim një cikël pas tre vitesh e gjysmë që kemi përfaqësuar këtë komb që na ka pritur shumë mirë. Unë e njoh shumë mirë Tiranën dhe vendin, dua t’ju falenderoj të gjithëve. Janë mbi 100 njerëz që punojnë dhe kam pasur mundësi t’i njoh, dua të falenderoj stafin dhe futbollistët që për tre vite e gjysmë kemi bërë mirë. Tifozët janë shumë dashamirës me Kombëtaren. Në 9 janar 2023 kam thënë se shpirti dhe djersa nuk duhet të mungojnë, këtë kemi bërë. Edhe sot kam emocione. Dua t’i uroj shumë suksese trajnerit Rolando Maran”, tha Sylvinho.
Braziliani do të drejtojë Shqipërinë edhe për dy miqësoret e qershorit, kundër Izraelit dhe Luksemburgut në Tiranë.

