17.5 C
Tirana
Friday, May 15, 2026

Të rinjtë e angazhuar në nismën “ForumLex”, njihen nga afër me procedurat dhe mekanizmat që të çojnë në përgjegjësi disiplinore magjistratët

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një takim informues me një grup studentësh të degës së drejtësisë, të angazhuar në nismën “ForumLex”, në kuadër të programit për informimin dhe edukimin ligjor të publikut.  Duke u bërë një paraqitje të kompetencave të institucionit e në kuadër të kurrikulës së tyre mbi lëndën e të drejtës kushtetuese, zoti Metani u shpjegoi të rinjve konceptin e ndarjes së pushteteve, pavarësinë e tyre dhe rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mes tre pushteteve, ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, ndërsa shtoi se Kushtetuta e ka parashikuar këtë institucion, si një mekanizëm për të kontrolluar dhe mbikëqyrur punën e gjyqësorit, sa i takon shkeljeve apo abuzimeve, por pa cenuar pavarësinë e tyre në vendimmarrje. “Duhet ruajtur maksimalisht balanca e pushteteve. Asnjë pushtet nuk mund të ketë fuqi absolute” – tha z. Metani, ndërsa shtoi se “pushteti gjyqësor është delikat, pasi duhet të marrë vendime për konflikte politike, ekonomike, apo interesash të mëdha, ndaj duhet trajtuar me delikatesë, jo si përkëdhelje, por si garanci në vendimmarrje”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve për aspekte të punës ndër vite të ILD-së, por edhe për zhvillime jashtë institucionit mbi rolin dhe pritshmëritë publike. Lidhur me objektin e veprimtarisë së institucionit z. Metani tha se “ILD është një mekanizëm kontrolli klasik demokratik i punës së gjyqtarëve, i përgjegjësisë disiplinore, por në asnjë rast vendimmarrja e tyre nuk rrëzohet për shkak të ankesave, por vetëm në shkallën më të lartë të Gjyqësorit, si Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë dhe në raste të caktuara në Gjykatën Kushtetuese, apo Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”. Zoti Metani nënvizoi se ILD hyn kur ka shkelje procedurale e etike, por asnjëherë në diskrecionin vendimmarrës të magjistratit. Inspektori i Lartë i Drejtësisë u ndal edhe tek inspektimet që kryhen nga ILD, për të monitoruar fenomene të caktuara në gjykata e zyra prokurorish, që nga zvarritjet në zbardhjen e vendimeve gjyqësore, respektimi ose jo i afateve, hedhja e shortit etj, inspektime që finalizohen me raportin përkatës të detajuar me gjetjet dhe rekomandimet  përkatëse.

Studentët u njohën gjithashtu me organizimin e brendshëm të institucionit, praktikat e punës dhe rëndësinë e transparencës dhe komunikimit me publikun, veçanërisht me të rinjtë dhe komunitetin akademik dhe morën përgjigje nga magjistratja gjyqtare Arjeta Lika dhe ndihmës inspektori Julis Zebi mbi mënyrën e paraqitjes e trajtimit të një ankese në ILD, të drejtat e ankuesit e magjistratit etj.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat