19.5 C
Tirana
Thursday, May 14, 2026

GJKKO dënon grupin e trafikantëve të cilët futën në mënyrë të paligjshme 25-persona drejt SHBA-së (Emrat)

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar disa persona të akuzuar për trafikim emigrantësh, falsifikim dokumentesh dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Besmir Stroka, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri shpalli fajtorë të pandehurit Luc Melaj, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj.

Sipas vendimit, Luc Melaj u gjet fajtor për disa vepra penale, përfshirë “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim dokumentesh”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.

Gjykata e dënoi fillimisht me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 8 vite burgim. Vuajtja e dënimit do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë dhe llogaritet nga data e arrestimit të tij më 22 korrik 2024.

Ndërkohë, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj u dënuan secili me nga 4 vite burg pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, por Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tyre në provë për një periudhë 3-vjeçare.

Sipas SPAK, grupi që drejtohej nga Luc Melaj, ka ndihmuar 25 shqiptarë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në SHBA, përmes itinerarit Shqipëri- Spanjë-Meksikë-SHBA, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe pagesa prej 40-45 mijë dollarësh për person.

Personat që trafikuan, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja, me lidhje familjare me personat që jetojnë në SHBA.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat