Në një nga mbledhjet e prillit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta mes anëtarit Sokol Stojani dhe kryetares Mirela Bogdani, rreth një vendimi të marrë më parë nga KLP, për të cilin Bogdani kërkoi që të diskutohej sërish.
Në seancën 16 prillit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka pasur debate të forta mes anëtarëve, të cilat nisën menjëherë pasi kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, propozoi që në rendin e ditës të shtohej edhe ‘diskutimi i çështjes së shumicës në një nga vendimet e shpalljes së vendeve të lëvizjeve paralele në Prokurorinë e apelit’.
Në audion zyrtare të regjistruar nga vetë KLP, dëgjohet anëtari i KLP-së,Sokol Stojani, i cili e kundërshtoi ashpër propozimin e saj, duke u përfshirë në një debat të ndezur me Bogdanin.
Sipas Stojanit, vendimet e marra nuk mund të diskutohen më, duke paralajmëruar Bogdanin se do të mbajë përgjegjësi. Kryetarja e KLP-së këmbënguli se në mbledhjen e 16 prillit nuk do të merrej një vendim, por vetëm do të diskutohej. Mbledhja në KLP nuk zgjati as një orë dhe u ndërpre për shkak të debateve të forta.
Bogdani: Ore nuk do marrim vendim sot.
Stojani: O kryetare, je në kundërshtim me ligjin. Ti të paktën duhet ta njoftosh anëtarin. Është përdhunim moj kryetare. Të kërkosh ti të diskutosh
Bogdani: Po pse vetëm ju ndiheni i përdhunuar zoti Stojani? Ne të tjerët e kuptoni sesi ndihemi pas këtyre fyerjeve dhe ofendimeve?
Bogdani: Mbledhjen e deklarojmë të mbyllur. Të qetësohen palët, të rehabilitohen dhe të vijnë në mbledhjen tjetër. Mirupafshim!
Stojani: Ju po sabotoni mbledhjen e Këshillit.
Bogdani: Unë po sabotoj?!
Stojani: Duke futur gjëra dhe duke penguar veprimtarinë e këtij Këshilli. Kryetare do të mbani përgjegjësi për këtë.
Bogdani: Do të mbaj!
Stojani: Do mbani përgjegjësi po të them.
Bogdani: Në litar do më varësh, e di..
Stojani: Po ç’litar aman, s’je ti për litar. Ashtu të ngre në qiell. Turp të të vijë njëherë. Keni mbledh gjithë njerëzit këtu për t’i mbajt njerëzit peng për gjëra ordinere.Jo,joo.. A ka gjë më ordinere se të rishikosh një vendim të marrë? S’ka gjë më ordinere se kjo. Ky është problem konceptual
Bogdani: Po është diskutim. Në qoftëse ti…
Stojani: Po s’ke diskutim moj. Po nuk diskutohet një vendim moj. Po nuk diskutohet një vendim i marrë moj, po nuk diskutohet… Moj kryetare…
Bogdani: Ore kështu e gjykova. Kush je ti që më tregon mua?
Stojani; Po kush je ti që vë në diskutim moj?
Bogdani: Po rrëzoje o burrë..
Stojani: Po nuk rrëzohet moj…
Bogdani: Dakord, mbase jam çmendur unë.
Stojani: Po je çmendur moj, je çmendur. Po je çmendur…, po je çmendur moj..
Bogdani: Nuk merrem dot, nuk merrem dot me njerëz të përdhunuar, kaq, kaq…
Stojani: Ti nuk mund të zhbësh dot një vendim moj zonjë e dashur, nuk e zhbën dot, nuk e zhbën dot.
Anëtari i KLP-së: Po atë nismën tonë
Bogdani: Po patjetër mo, po ju nuk të lini hapësirë
Stojani: Po jo, se në këtë hapësirë ti do me fut ato muhabetet e tua.
Bogdani: Ore ashtu e gjykova.
Prokurori Sokol Stojani dhe kryetarja e Këshillit, Mirela Bogdani kanë pasur edhe debate të mëparshme me njëri-tjetrin.

