17.5 C
Tirana
Monday, May 11, 2026

Shqiptarve “ju del emri” në Spanjë, ngrejnë “fabrikë” droge duke përdorur vila me qira!

Gjykata Kombëtare në Spanjë ka dënuar anëtarët e një organizate kriminale shqiptare të përfshirë në kultivimin masiv të marijuanës në disa zona të Katalonjës, ndërsa në qendër të hetimeve ka dalë edhe një kompani pasurish të paluajtshme me bazë në Igualada.

Sipas mediave spanjolle, mes tyre gazeta Regió7, organizata kishte ngritur një rrjet të mirëorganizuar logjistik për sigurimin e depove dhe vilave që përdoreshin si plantacione droge, duke shmangur dyshimet e pronarëve të pronave.

Në dosjen hetimore evidentohet roli kyç i një agjenti imobiliar, drejtues i firmës “MII Immobiliària” në Igualada, i cili ndihmonte grupin kriminal të siguronte ambientet ku kultivohej marijuanë në shkallë industriale.

Skema e përdorur për marrjen e pronave

Sipas hetimeve, agjenti u ofronte pronarëve kontrata qiraje me opsion blerjeje në të ardhmen, të shoqëruara me parapagime deri në 20 mijë euro cash.

Kjo metodë bënte që pronarët të besonin se prona ishte praktikisht e shitur dhe të mos kontrollonin më aktivitetin që zhvillohej brenda ambienteve.

Përmes kësaj skeme, organizata arriti të shtrinte aktivitetin në disa komuna katalanase, mes tyre Sant Cebrià de Vallalta, Tordera dhe Castellar del Vallès, ndërsa baza kryesore ndodhej në Sallent.

Gjatë kontrolleve në depon qendrore në Sallent, policia zbuloi më shumë se 5 mijë bimë marijuanë, si dhe një sistem të sofistikuar teknologjik për kultivimin e drogës.

Hetuesit zbuluan gjithashtu një manipulim masiv të rrjetit elektrik. Sipas autoriteteve, energjia e konsumuar nga plantacioni ishte e barabartë me atë të afro 300 banesave, duke krijuar rrezik serioz zjarri për zonën.

Në operacion u sekuestruan edhe armë zjarri të modifikuara, të cilat dyshohet se përdoreshin për mbrojtjen e aktivitetit kriminal.

Vendimi i Gjykatës Kombëtare

Gjykata Kombëtare spanjolle dha dënimet pasi të pandehurit pranuan përfshirjen në aktivitetin kriminal.

Liderët e organizatës janë dënuar me nga gjashtë vite burg, ndërsa agjenti imobiliar nga Igualada mori një dënim me një vit e gjysmë burg dhe një gjobë që kalon 1 milion euro.

Vendimi parashikon gjithashtu dëbimin nga Spanja të shumicës së anëtarëve të klanit, të cilët janë me origjinë të huaj, si dhe detyrimin për të kompensuar dëmet e shkaktuara në prona dhe vjedhjen e energjisë elektrike.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat