19.5 C
Tirana
Wednesday, May 6, 2026

Shuhet Servet Pëllumbi, ish-kryetari i Kuvendit mbyll sytë përgjithmonë në moshën 89-vjeçare! Sot homazhet

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi.

Servet Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë dhe është një nga figurat e njohura të politikës shqiptare pas viteve ’90.

Ai ka pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimet e periudhës së tranzicionit dhe ka mbajtur poste të larta në Partinë Socialiste dhe në Kuvendin e Shqipërisë, ku shërbeu edhe si kryetar.

Gjatë karrierës së tij, ai është vlerësuar me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga presidenti Alfred Moisiu, për kontributin e dhënë në jetën publike dhe institucionale të vendit.

Kush ishte Servet Pëllumbi, figura që luajti rol kryesor në politikë

Servet Pëllumbi njihet si një prej figurave, që ka luajtur rol kryesor në zhvillimet politike të vendit që prej fillimeve të tranzicionit. Ai ka pasur një karrierë të gjatë politike në Partinë Socialiste dhe Kuvendin e Shqipërisë. Pëllumbi drejtoi Parlamentin nga viti 2002-2005. 

Servet Pëllumbi është dekoruar nga presidenti Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Pëllumbi, i cili ka mbajtur dhe postin e sekretarit të Përgjithshëm të PS-së njihet dhe si ideolog i kësaj force politike.

Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve ’90 ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi.

Nga viti 1960 – 1963, Pëllumbi ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Për gati tre vjet ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës.

Homazhet 

Sot do të mbahet ceremonia mortore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

Arkmorti do të mbërrijë në sheshin Skënderbej në orën 09:00 dhe më pas do të vendoset në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Homazhet në nder të Pëllumbit do të nisin në orën 09:30 dhe në orën 12:00 do të mbahen homazhet zyrtare.

Në orën 12:30 do të nisë ceremonia e përcjelljes, ndërsa do të mbahen dy fjalime. Shoqërimi do të behet sipas protokollit shtetëror, ndërsa nisa për në varrezat e Sharrës do të jetë në orën 13:00.

Pëllumbi është një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe ish-kryetar i Kuvendit. Ai është konsideruar një nga figurat më me integritet që pas viteve ’90.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat