16.5 C
Tirana
Thursday, April 23, 2026

ILD: Ruajtja e balancës mes pavarësisë së magjistratëve dhe llogaridhënies garanton një sistem drejtësie të paanshëm dhe të pa shantazhueshëm

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një leksion të hapur me studentët e degës së drejtësisë në Universitetin Luarasi, ku ndau me ta reflektime mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë pas reformës, duke u ndalur tek veprimtaria e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pavarësia e gjyqësorit, llogaridhënia dhe ndarja e pushteteve.

Gjatë fjalës së tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani tha se reforma në drejtësi ka krijuar një arkitekturë të re institucionale, e cila përbën një strukturë të qëndrueshme dhe funksionale. Një ndër arritjet kryesore të kësaj reforme tha z. Metani është fakti që sot gjyqtarët dhe prokurorët ushtrojnë detyrën e tyre pa trysni apo presion, falë mekanizmave ligjorë dhe kushtetues që garantojnë hetimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të mundshme.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë sqaroi mënyrën se si vihet në lëvizje institucioni që ai drejton, duke theksuar se “procesi nis kryesisht nga ankesat e qytetarëve dhe institucioneve, por edhe me iniciativë të vetë ILD-së, bazuar në informacione të siguruara, përfshirë edhe nga mediat, por duhet që ankesat të jenë të qarta dhe të detajuara, duke përfshirë identitetin e gjyqtarit dhe përshkrimin konkret të shkeljes së pretenduar”.

Një element thelbësor, sipas z. Metani, mbetet ruajtja e balancës mes pavarësisë së gjyqtarëve dhe llogaridhënies së tyre, çka garanton një sistem drejtësie të paanshëm dhe të pa shantazhueshëm. Inspektori i Lartë i Drejtësisë sqaroi gjithashtu se “ILD nuk ka kompetencë për të ndryshuar vendime gjykatash, ato ashtu sikurse është e parashikuar në ligj rrëzohen, apo ndryshohen nga një shkallë më e lartë e sistemit gjyqësor”.

Në vijim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpjegoi tre fazat e trajtimit të një ankese: “verifikimin fillestar, hetimin mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm dhe procedimin disiplinor. Ndër shkeljet më të shpeshta të konstatuara përmendi vonesat në zbardhjen e vendimeve, të cilat shpesh lidhen me ngarkesën e lartë të trupës gjyqësore. Inspektori i Lartë i Drejtësisë theksoi se qytetarët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e tij pranë organeve përkatëse, si mekanizma kontrolli, si dhe vuri në dukje rëndësinë e inspektimeve në sistemin e drejtësisë, të cilat kontribuojnë në rritjen e performancës dhe besueshmërisë së tij”.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe ndikimit të procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë theksoi se vettingu ka sjellë përgjysmimin e numrit të gjyqtarëve, duke krijuar një ngarkesë të shtuar në sistem, por duke mbetur një proces i domosdoshëm për rritjen e integritetit dhe besimit publik.

Studentët ngritën pyetje mbi natyrën e shkeljeve në vendimmarrje dhe rastet kur këto mund të cenojnë integritetin e gjyqtarit, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Në përgjigje të tyre, Inspektori sqaroi se çdo rast trajtohet mbi bazën e fakteve dhe procedurave ligjore, duke respektuar standardet e hetimit dhe balancën mes pavarësisë dhe përgjegjshmërisë.

Në lidhje me pyetjen rreth volumit të ankesave, z. Metani bëri të ditur se pranë institucionit janë depozituar mbi 9 mijë ankesa, nga të cilat më shumë se 6700 janë trajtuar. Nga këto, janë zhvilluar rreth 150 hetime ndaj magjistratëve dhe janë iniciuar 53 procedime disiplinore.

Në fund, Inspektori i Lartë i Drejtësisë bëri foli për inspektimet, për të cilat tha se ato mund të shërbejnë si bazë për reflektim institucional dhe përmirësime të mëtejshme, përfshirë edhe rekomandime, ndërsa shtoi se të gjitha raportet e inspektimit  i janë adresuar Kuvendit.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat