Fermerët protestuan para Ministrisë së Bujqësisë duke kërkuar subvencionim të naftës, ndaljen e importit të bulmetit si dhe mbështetjen e prodhimit vendas. Mes fermerëve plasi një sherr pas takimit që një përfaqësi zhvilluan me 2 ministrat Salla e Malaj. Një pjesë e tyre s’janë dakord që skema të rishikohet në shtator, duke kërkuar zgjidhje emergjente.
Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” dhe fermerë nga mbarë vendi protestuan për gati 4 orë para Ministrisë së Bujqësisë, duke kundërshtuar Skemën e re Kombëtare 2026. Me pankarta e thirrje si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit”, “Bojkotoni firmat serbe” e “duam subvencione nafte si jahtet”, protestuesit kërkuan t’u subvencionohet nafta dhe të mbështetet prodhimi vendas, në kushtet kur çmimi i naftës dhe i plehrave kimike është rritur ndjeshëm.
“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, është thirrja e tyre.
Fermerët e Blegtorët njëzëri ngritën shqetësimin për heqjen e naftës pa taksa, si edhe kërkuan rishikimin e pikave të tjera të skemës, si heqjen e financimit për viçat.
Një përfaqësi prej 10 protestuesish u pritën për 2 orë nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla dhe ai i Financave, Petrit Malaj, por pas takimit duke se nuk ishte arritur një dakordësi konkrete. Në kushtet kur është hequr nafta pa taksa, fermerët kërkuan ta blejnë me akcizë më të ulët, kërkesë që është kundërshtuar nga ministri Malaj. Ky i fundit në takim ka deklaruar se është futur në fuqi ulja e akcizës me 20%. Ndërkohë, ministri Salla mësohet se u ka premtuar rishikim të Skemës Kombëtare të Bujqësisë në muajin shtator, pasi të jetë mbyllur bilanci i 6 mujorit të parë, si edhe kontrolle në doganë për produktet e huaja.
Pas takimit fermerët dhe blegtorët u përfshinë në një sherr verbal, pasi një pjesë prej tyre kundërshtuan dakordësinë për rishikimin e skemës në shtator. Me tonë të ashpra ata thanë se financimi duhet të jepet tani pasi në të kundërt do të falimentojnë.
Skema e re për vitin 2026, përfshin, megjithatë disa lehtësira, sidomos për blegtorët, të cilët do të përfitojnë financime për një numër më të ulët krerësh se më parë. Nëse aktualisht për të marrë mbështetje nga shteti nevojitej një minimum prej 10 krerësh lopë, ky kufi zbret në 5 krerë, ndërsa paralelisht rritet dhe financimi nga 10 mijë në 12 mijë lekë për kokë.
Ngjashëm edhe për numrin e deleve dhe dhive, me numrin e krerëve që përgjysmohet për të marrë financimin i cili nga ana tjetër, po ashtu, rritet nga 1200 lekë në 1500 lekë. Edhe për bletët numri i nevojshëm i koshereve përgjysmohet ndërsa përfitimi dyfishohet, duke shkuar në 2 mijë lekë për zgjua.

