Ish-ministri dhe socialisti i vjetër Arben Malaj duket se e ka ndarë mendjen për të kandiduar për Bashkinë e Vlorës. Pak ditë më parë ai u shpreh se ka shumë kërkesa që të futet në zgjedhjet vendore të vitit që vjen, por ishte në dilemë.
Mirëpo sot Malaj ka sinjalizuar se do të garojë. Më herët ai ka thënë se nuk do të jetë kurrë kandidat i PS sa kohë aty të jetë Rama, duke sinjalizuar se do të jetë si i pavarur.
“Vlora nuk është një hartë kadastrë e Ramës; Vlora është Mbretëresha e Mesdheut, hyjnia simbolike e pavarësisë dhe lirisë sonë kombëtare. Vlora është dhe do të mbetet margaritari që do të shkëlqejë në shekuj si pika e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, vëllezërve dhe motrave nga çdo cep i Shqipërisë kreshnike. Së bashku, do të bëjmë gjithçka dhe do të shkruajmë dedikimin që dua ta meritoj bashkë me ju dhe ta lë si trashëgimi për liderët e rinj të Vlorës dhe Shqipërisë: ‘Ai e gjeti Vlorën pa shpresë dhe e la atë me një vizion të qartë për të ardhmen’”, shkruan Malaj.

