14.5 C
Tirana
Tuesday, March 24, 2026

Vakum ligjor? GJKKO pranon kërkesën e Veliaj, i cakton si avokat Plarent Ndrecën, i marrë pyetje nga SPAK, si person që ka dijeni në kuadër të hetimeve ndaj kryebashkiakut të Tiranës

I rrethuar nga njerëz që njohin çdo hapsirë apo vakum ligjor, Erion Veliaj kërkoi të mbrohet nga ish-deputeti i PS Plarent Ndreca. SPAK e kundërshtoi me argumentin se Ndreca është marrë në pyetje për këtë çështje si person në dijeni. Ish-deputeti replikoi duke thënë se deklarimet në fazë paraprake, nuk përbëjnë provë.

Vetë kryebashkiaku Veliaj nuk është i pranishëm në seancë, ndërsa ka paraqitur një deklaratë ku kërkon të përfaqësohet nga avokati Ndreca, ish-deputet i PS, i cili ndodhet në seancë në rolin e mbrojtësit ligjor. Përveç Ndrecës, në seancë e pranishme është dhe avokatja kryesisht e Veliajt, Valentina Todoresku.

Kërkesa e Veliajt për të ndryshuar avokat, u kundërshtua nga SPAK me argumentin se Plarent Ndreca, gjatë fazës paraprake të hetimeve për kryebashkiakun, është marrë në pyetje si person në dijeni për çështjen. Ish-deputeti ka replikuar duke thënë se deklarimet në fazën paraprake, nuk përbëjnë provë. Pasi trupi gjykues u tërhoq për vendim, legjitimoi Plarent Ndrecën si avokat të Erion Veliajt me argumentin se nuk ka asnjë pengesë ligjore.

Pjesë nga diskutimet në seancë:

Altin Dumani: Plarent Ndreca është pyetur në fazën e hetimit paraprak dhe jemi në kushtet ku nuk mund të legjitimohet si mbrojtës.

Plarent Ndreca: Nuk jemi në kushtet e papajtushmërisë. Deklarimet në hetimet paraprake nuk përbëjnë provë. Kam një kërkesë si detyrim ligjor. Në vlerësim të ligjit, nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk përbëjnë provë të dhënat e hetimit paraprak. Unë jam pyetur për njohjet me Veliajn dhe Xoxën, por edhe për kompani, nëse kam njohje, por nuk rezulton. Jam pyetur për një foto që është gjetur në zyrat e Xoxës, por unë nuk kam pasur lidhje. Thëniet që unë kam bërë s’kanë lidhje me këtë proces dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit. Nuk jemi në kushte papajtueshmërie.

Altin Dumani: Është vlerësimi juaj nëse e legjitimoni, sepse për ne s’ka ndonjë pengesë, por duhet parë ligji. Të shmanget mundësia e një pavlefshmërie apo dështimi të ardhshëm; kaq kishim këtë merak.

Plarent Ndreca: Kështu e komentova si një merak. Por e sqarova dhe lidhjet dhe thëniet e mia nuk kanë asnjë interes të ndërsjellë.

Sakaq, Veliajt pas 1 viti në izolim, me miratim të GJKKO-së, i janë dorëzuar në qeli 28 mijë faqe të 72 fashikujve të dosjes hetimore në funksion të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë. Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat