13.5 C
Tirana
Monday, February 16, 2026

Kur avokatët sekserë të krimit (Llangozi), fusin në kurth median!

Zamira Voci 

Drejtësia ka probleme të mëdha, sidomos në çështjet ende pa shqyrtuar për shkak të ngarkesave, implementimit të hartës së re gjyqësore, apo edhe për shkak të vettingut, që krijoi gropa të thella në sistem. Por, problematikave administrative u shtohen edhe ca avokatë, që më shumë se punën e tyre në raport me qytetarin dhe mbrojtjen e tij, e kanë mendjen të krijojnë ca shoqata, në të cilat kanë futur në kurth edhe median. Dhe më e rëndësishme është që këto shoqatat krijohen nga këta avokatët, që deri dje kanë bërë sekserin me gjyqtarë e prokurorë, shumë prej të këtyre të fundit të shkarkuar nga vetting. Dhe ata që ngrihen e bëjnë shoqatë, që dalin me zë dhe figurë janë një grup individësh, secili prej tyre me profil të njohur në publik. Por më shumë se profesionalizmi, të gjithë njihen për pehlivanllëqe kur ishin brenda sistemit. Për këta “mjeshtra të pehlivanllqëve”, parimet nuk kanë lidhje fare me ta, por halli i ka bërë bashkë dhe më në fund dolën ashiqare në publik, se i bashkon stili i njëjtë për hallin e madh që i ka zënë.

Një prej tyre është avokati Arben Llangozi, që po tenton të “rilindë” gazetar, edhe pse s’ka asgjë të përbashkët me profesionin tonë. Sepse një gazetar nuk e lidh asgjë me një avokat që di vetëm të bëjë pazare dhe shfrytëzon median vetëm për interesa të tij. Sepse ca njolla në biografinë e tij profesionale tregojnë qartë se nuk mund të jetë ai figura që jep “konsulenca mediatike” për çështje të caktuara. E shumta ai shfrytëzon median për hallet e tij, për të bërë presione, e për të fituar ndonjë “kockë” me karakter juridik.

Aty në atë takim shoqate ishte prezent edhe një gazetar, për të cilin nami se është gjobaxhi, madje krejt i rëndomtë nuk është më një legjendë, por fakt, e sidomos kur thuhet edhe nga kolegët e tij. Ky është një gazetar që nuk ka bërë hajër me profesionin, por me bandat dhe i vendosur në shërbim të tyre, duke shfrytëzuar pikërisht hapësirat mediatike. Për 500 euro, ai gazetari i ulur në rreshtin e parë, sipas fotos në fund të aktivitetit, është gati të sulmojë këdo me apo pa të drejtë, thjesht e vetëm, se portalet që kanë mbirë si “kërpudhat pas shiut”, ua botojnë, edhe këto në këmbim të parave. Dhe kjo shoqata, që u krijua me urgjencë ditën e shtunë, që mori një sallë me qera e ftoi ca njerëz, aq serioze duket, sa edhe marketingun publik, e ka lënë në dorë të avokatit Arben Llangozi, dyshimet për formimin e të cilit janë shtuar së fundmi.

Megjithatë, më shumë se emri, shoqata nuk mund të ketë si përfaqësues të saj, një avokat, pa qenë asnjë ditë gazetar, sepse, përndryshe unë që jam gazetar 30 vjet, do hap një shoqatë dhe të përfaqësoj avokatët, e ti mbroj ata. Por, jo, nuk duhet ngatërruar “keku me byrekun”, sepse, një avokat, që bashkëpunon me median për arsye, apo qëllime që i di vetëm ai dhe që për mua janë qartazi presione, nuk mund të mbrojë punën e një gazetari, dhe as gazetari të një avokati. Secili në fushën e tij do ishte shumë më i dobishëm.

Nëse bën një sondazh në rrugë, se cili është mendimi për avokatët (unë e kam bërë), përfundimi është zhgënjyes. Për një pjesë të avokatëve, si këta të sojit LLangozi, perceptimi publik është se janë mashtrues, u marrin paratë qytetarëve, me idenë se do u kthejnë lirinë, pronën, apo të tjera gjatë proceseve gjyqësore, e i lënë në baltë. Kaq duhet të shërbejë si arsye se përse media nuk duhet të implikohet me këta individë, që nëse nuk janë drejtpërdrejt të inkriminuar, janë sekserë, sepse në fund të ditës duan të mbrojnë interesin e klientit të tyre që i ka paguar dhe jo interesin publik, sikurse pretendojnë. Misionin për mbrojtjen e interesit publik e ka vetëm media dhe gazetarët, por sigurisht ata gazetarë që nuk vënë gjoba, nuk shiten e nuk blihen. Sepse, për fat të keq vitet e fundit gazetarët janë shitur e pasuruar nga paratë e krimit të organizuar. Një gazetar i ndershëm ka blerë shtëpi me kredi e duke bërë 2 apo tre punë dhe ka shumë të tillë.

Por ka edhe shumë të tjerë që me portale, apo në pak vite të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, kanë shtëpi në mes të bllokut…Nëse kjo ndodh, atëherë nuk quhesh gazetar, që mbron interesin publik, por mbron interesin personal dhe ke gjetur rrugën për t’u pasuruar, duke u vendosur gjoba bandave kriminale, e shërbyer atyre në këmbim të parave. Dhe këtë më shumë se unë e thotë shumë mirë Indro Montanelli: “Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera”. Kështu po ndodh me disa prej sërës sonë këto vitet e fundit, dhe dihen me emër e mbiemër.

Nëse kjo shoqata me emrin “Media dhe Drejtësi”, do mbrojë gazetarët, minimalisht duhet të ishte gjithëpërfshirëse. Pse nuk kishte përfaqësues nga të gjitha mediat, apo të ishte kreu i unionit të gazetarëve shqiptarë, e të diskutohej media në të gjitha problematikat e saj. Se ky është një precedent, duke përdorur median, mund të ngrihet çdo lloj shoqate fjala bie “Lulishtarët dhe media”, “Media dhe Mbrojtja e Kafshëve”, “Media dhe këpucarët”, “Media dhe gjyqtarët”, “Media dhe mësuesit”, e duke përdorur median, ose ca gazetarë nxjerrim ca inate personale, e bëjnë ca presione ndaj atyre që nuk na kanë mbyllur ca punë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat