Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi është larguar nga detyra. Qeveria “rrëshkiti” një lajm se në mbledhjen informale të ministrave të premten pasdite, është komunikuar se për arsye shëndetësore Engjëll Agaçi tërhiqet nga posti si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Mbetet për tu parë se kush është arsyeja e vërtete. Ende nuk është bërë e qartë nëse largimi i tij ka ardhur si rezultat i një dorëheqjeje apo i një shkarkimi nga detyra. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar që sqaron arsyet e këtij ndryshimi në strukturën e lartë të Kryeministrisë.
Sipas raportimeve, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm pritet të emërohet Elsonida Rama, e cila do të zëvendësojë Agaçin në këtë funksion kyç pranë kreut të qeverisë.
Ndërkohë, ndryshime janë bërë edhe në drejtimin e kabinetit të Kryeministrit. Vilma Guri është emëruar shefe e kabinetit, duke zëvendësuar Vali Bizhga në këtë detyrë. Agaçi u emërua në këtë detyrë më 15 shtator të vitit 2013, duke ushtruar kështu këtë funksion për rreth 13 vite me radhë.
Mësohet se vendin e Agaçit e ka zënë Elsonida Rama, ndërsa detyra e shefes së kabinetit i është besuar Vilma Gurit.

