Kontrolli i Lartë të Shtetit në raportin e kontrollit të publikuar së fundmi evidenton një barrë të konsiderueshme financiare për Avokaturën e Shtetit, e krijuar nga mënyra se si janë menaxhuar largimet nga puna dhe proceset gjyqësore me ish-punonjësit. Sipas auditimit, gjatë viteve 2023–2024 nga institucioni janë larguar gjithsej 26 punonjës, shumica dërrmuese me dorëheqje dhe një rast me shkarkim. Vetëm në vitin 2023 janë regjistruar 13 largime, ndërsa po aq edhe në vitin 2024. Paralelisht me këto largime, ndaj Avokaturës janë ngritur një sërë padish për largime të konsideruara të pajustifikuara, nga të cilat pesë vijojnë ende të jenë në proces gjyqësor.
Nga shqyrtimi i çështjeve të trajtuara në raport, rezulton se dhjetë procese gjyqësore kanë pasur si objekt largimin nga puna, ndërsa katër prej tyre kanë sjellë detyrime të drejtpërdrejta financiare për institucionin. Deri në fund të vitit 2024, Avokatura e Shtetit ka paguar 3,608,445 lekë gjatë vitit 2023 dhe 1,418,160 lekë gjatë vitit 2024 për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Këtyre shifrave u shtohen edhe 320,547 lekë shpenzime përmbarimore, duke e çuar faturën totale në 5,347,152 lekë.
Raporti thekson se kjo shumë përfaqëson një kosto të drejtpërdrejtë për buxhetin publik, e cila lidhet jo vetëm me humbjen e çështjeve në gjykatë, por edhe me mënyrën joefikase të zbatimit të vendimeve. Audituesit konstatojnë se në asnjë rast Avokatura e Shtetit nuk ka vepruar me ekzekutim vullnetar të vendimeve pas marrjes së formës së prerë. Pagesat janë kryer vetëm pas ndërhyrjes së përmbaruesve privatë, çka ka sjellë tarifa shtesë dhe shpenzime të panevojshme. Nëse institucionit do të kishte zbatuar vendimet në kohë dhe pa ndërmjetësim përmbarimor, një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve do të ishte kursyer.
KLSH lidh drejtpërdrejt kostot financiare me mangësitë në administrimin e burimeve njerëzore. Largimet nga puna pa bazë të fortë ligjore, mungesa e dokumentimit të plotë dhe vendimmarrja e dobët administrative kanë krijuar terren për padi të suksesshme nga ish-punonjësit. Në shumë raste, gjykatat kanë vendosur rikthim në detyrë, pagesë të prapambetur ose dëmshpërblim me disa paga mujore, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e institucionit.
Po ashtu, raporti vë në dukje se Avokatura e Shtetit nuk ka shfrytëzuar në mënyrë sistematike mundësitë për zgjidhje administrative apo marrëveshje paraprake, të cilat do të mund të shmangnin përplasjen gjyqësore. Mungesa e dialogut institucional dhe e mekanizmave parandalues ka bërë që konfliktet e punës të përfundojnë pothuajse gjithmonë në gjykatë, me pasoja financiare për institucionin.
KLSH paralajmëron se rreziku për rritjen e mëtejshme të faturës mbetet real, pasi pesë çështje të tjera janë ende në shqyrtim. Nëse këto përfundojnë me vendime në favor të ish-punonjësve, Avokatura e Shtetit mund të përballet me detyrime të reja financiare në vitet në vijim.
Në përfundim, raporti e konsideron shumën mbi 5.3 milionë lekë si pasojë direkte të vendimmarrjes së gabuar administrative dhe të mungesës së disiplinës institucionale në zbatimin e vendimeve gjyqësore. Sipas audituesve, një menaxhim më profesional i marrëdhënieve të punës, respektimi rigoroz i procedurave ligjore dhe ekzekutimi në kohë i vendimeve do të kishin shmangur një pjesë të madhe të këtyre humbjeve nga fondet publike.

