12.5 C
Tirana
Monday, February 9, 2026

Miratohet kalendari i inspektimeve në gjykatat dhe prokuroritë e vendit për vitin 2026, prioritet shqetësimet e adresuara nga qytetarët

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar kalendarin e inspektimeve në gjykata e zyra prokurorie për vitin 2026, bazuar në problematikat e evidentuara nga ankesat e qytetarëve, propozimet që kanë ardhur nga disa institucione (Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Drejtësisë) për kohëzgjatjen e proceseve civile gjyqësore, shpalljen dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore, respektimin e afateve të paraburgimit, trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësit të policisë së shtetit dhe atij të burgjeve etj.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u paraqit analiza e të dhënave mbi llojin e pretendimeve të ankuesve, qytetarë apo institucione deri në dhjetor 2025, si dhe pretendimet e ankesave të trajtuara me vendimmarrje gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave, pjesën më të madhe e zenë pretendimet për vendimmarrje të padrejta, pretendimet për zvarritje gjykimi, zvarritje të veprimtarisë hetimore dhe vonesa në dorëzimin e vendimeve gjyqësore.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u evidentua se gjatë vitit 2025, sipas traditës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar kërkesa për tematika inspektimesh për planin e inspektimeve për vitin 2026, institucioneve të drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Në mbledhje u vlerësua angazhimi i tri institucioneve, që kanë përcjellë propozime për inspektimet tematike ose institucionale, konkretisht Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar 2 tematika inspektimesh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 4 tematika inspektimesh dhe Ministri i Drejtësisë 5 tematika inspektimesh.

Pas diskutimeve mbi të dhënat e ankesave të përcjella, të propozimeve të ardhura nga tri institucionet e drejtësisë, si dhe të prioriteteve të punës së ILD-së, edhe për shtrirje gjithëpërfshirëse gjeografike të inspektimit në gjykata e prokurori, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve miratoi gjithsej 9 inspektime për t’u realizuar gjatë vitit 2026, 8 inspektime tematike dhe 1 inspektim institucional. E veçanta këtë vit është miratimi i 2 inspektimeve tematike mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme.

Nga trajtimi i ankesave të qytetarëve dhe institucioneve, kohëzgjatja e proceseve civile gjyqësore, shpallja dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, respektimi i afateve të paraburgimit, trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësit të policisë së shtetit dhe atij të burgjeve për keqtrajtim.

Kalendari i inspektimeve për vitin 2026 përmban:
  • Inspektimi tematik “Mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore”, do të kryhet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për periudhën 01.04.2025-30.06.2025. Ky inspektim, propozim i Ministrit të Drejtësisë do realizohet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.09.2026.
  • Inspektimi tematik “Trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësve të policisë së shtetit dhe policisë së burgjeve për torturë, keqtrajtim, veprime arbitrare apo dhunë të çdo lloj forme” do kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive në vend për periudhën 01.01.2025 – 31.12.2025. Inspektimi, propozim i Prokurorit të Përgjithshëm, do realizohet në periudhën 16.02.2026 – 02.12.2026.
  • Inspektimi tematik “Mbi kohëzgjatjen e proceseve civile gjyqësore të përfunduara me palë kundërshtare”, do të realizohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për periudhën 01.04.2025- 30.06.2025. Inspektimi, propozim i Ministrit të Drejtësisë do kryhet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektimi tematik “Respektimi i afateve të paraburgimit në kuadër të shuarjes së masave të sigurimit gjatë fazës së hetimit” do të kryhet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për periudhën 2023-2025. Inspektimi, propozim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do kryhet në periudhën kohore 16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektimi tematik “Ndarja e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik”, që do të realizohet për periudhën 01.01.2025-31.12.2025, në Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, Lezhë dhe Vlorë. Inspektimi pranë këtyre gjykatave do të kryhet në periudhën02.2026 – 10.12.2026.
  • Inspektimi tematik “Mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve” për periudhën 01.01.2025-31.12.2025. Inspektimi do të kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive në periudhën 16.02.2026 – 21.12.2026.
  • Inspektim institucional “Infrastruktura dhe qarkullimi i dokumentacionit”, do kryhet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për periudhën 01.04.2025 – 30.06.2025. Inspektimi do realizohet në periudhën 16.02.2026 -30.10.2026
Në mënyrë të posaçme gjatë vitit 2026 janë miratuar dy inspektime për ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme, konkretisht:
  • Inspektim vijues tematik mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimit tematik miratuar me raportin nr. 56/29, datë 29.12.2023 për “Lirimin me kusht” në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë për periudhën16.02.2026 – 30.10.2026
  • Inspektim vijues tematik mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve tematike miratuar me raportet nr. 608/4, datë 22.04.2024 dhe nr. 2495, datë 09.09.2025 “Mbi caktimin e çështjeve me short në prokurori”, do të kryhet në të gjitha zyrat e prokurorive për periudhën 02.2026 – 31.07.2026. Inspektimi do të kryhet në periudhën 16.02.2026 – 30.09.2026.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat