Monika Kryemadhi deklaroi në emisionin “Breaking” në Top News, se burgosja e Metës është marrëveshje e partive të mëdha, duke shtuar se i vetmi që e ka mbrojtur është Sali Berisha. Tani ose Kryemadhi i është futur botës së spektaklit dhe e ka harruar politikën, ose nuk ka përgjigje tjetër. Që të thuash ka marrëveshje PS-PD, vetëm nja nga Australia që se di ku i bie Shqipëria mund ta hajë.
Kryemadhi hodhi akuza të forta edhe për arrestimin e Ilir Metës, duke e cilësuar si rezultat të një marrëveshjeje mes dy partive të mëdha.
“Burgosja e Metës është marrëveshje e dy partive të mëdha për të vazhduar aferat”, deklaroi ajo.
Sipas saj, problemet që po përjeton sot politika shqiptare nuk ekzistonin më parë, ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e të burgosurve ndodhen në paraburgim.
“Sot kemi 80% të të burgosurve në paraburgim. Sot jemi Republika e SPAK-ut”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse opozita mund të kthehet në një alternativë qeverisëse, Kryemadhi tha se problemi kryesor qëndron te metodologjia dhe mungesa e konsistencës.
Ajo pranoi se si ajo ashtu edhe Ilir Meta kanë bërë gabime, por theksoi se këto gabime lidhen me tejkalimin e kufijve në ndihmë të njerëzve.
“Meta dhe unë kemi gabimet tona. Kemi bërë më shumë sesa duhet për njerëzit. Nëse merr një doktor urgjence dhe i thua ‘kam filanin’, sot SPAK ta quan shpërdorim detyre. Ky ka qenë gabimi ynë”, u shpreh Kryemadhi.
Monika Kryemadhi foli dhe për një rikthim të mundshëm në politikë, duke thënë “Nuk mendoj se politika më ka lodhur, njerëzit mendojnë se kam fituar shumë nga politika. Mendoja se kam eksperiencën për të njohur njerëz. Një nga zhgënjimet në politikë janë zgjedhjet e 11 majit. Ne s’po kërkonim votën për Metën për ta bërë president.
Një nga zhgënjimet e mia më të mëdha është mënyra se si u komentua nga njerëz që drejtonin fushatën e Metës. Ka pasur dhe tronditje që kur shkonin njerëz të koalicionit shohin ‘pse e voton; ai është në burg’. I vetmi që e ka mbrojtur është Sali Berisha”.

