10.5 C
Tirana
Thursday, February 5, 2026

Vonoi zbadhjen e vendimeve deri në 4 vite, KLGJ i jep “Vërejtje publike” gjyqtarit Shkëlzen Liçaj (Zbulohet masa disiplinore që kërkoi ILD)

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masë disiplinore ndaj magjistratit Sh. L., për zvarritje të përsëritur në zbardhjen e vendimeve gjyqësore. Propozimi i ILD-së për caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, u pranua pjesërisht, duke u pranuar shkelja disiplinore e duke u caktuar ndaj gjyqtarit masa disiplinore “Vërejtje publike”.

Hetimi disiplinor ndaj Sh.L., gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksioni i Përgjithshëm Sarandë, nisi bazuar në 12 ankesa për zvarritje në zbardhjen e vendimeve të arsyetuara nga gjyqtari, shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronja “d” i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Raporti voluminoz i hetimit të inspektorëve të ILD-së, me dy procedime të bashkuara e objekt hetimi të shtuar për gjyqtarin, evidentoi vonesa të përsëritura të zbardhjes së vendimeve në tejkalim të afatit ligjor deri në 4 vite, vendime që i përkasin periudhës së viteve 2021, 2022, 2023. Raporti i inspektorëve të ILD-së konkludoi nga ana e magjistratit janë ndërmarrë veprime/mosveprime në shkelje të afateve procedurale civile dhe penale të arsyetimit të vendimit gjyqësor, duke tejkaluar afatet tej çdo llogjike, ku mosrespektimi i afateve ligjore nuk paraqitet si episod i izoluar, por si model i përsëritur në tri vite radhazi dhe në përmasa jashtë çdo standardi ligjor dhe profesional të afateve të vonesës. Zvarritja sistematike dhe e përsëritur përtej këtyre afateve, përbën tregues të qartë të mosrespektimit të përgjegjësive funksionale.

Pavarësisht parashtrimeve të magjistratit lidhur me ngarkesën në punë dhe për gjendjen e sistemit gjyqësor, nga analiza e situatës rezultoi se ai nuk ka përmbushur në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme detyrimet ligjore dhe funksionale, që i ngarkohen për arsyetimin dhe dorëzimin në kohë të vendimeve gjyqësore.

Në raportin hetimor vërehet se shkelja disiplinore e gjyqtarit ka sjellë mos marrje në kohë të produktit të pritshëm nga gjykimi i një çështjeje të caktuar, vonesa në ushtrimin e të drejtës së ankimit apo edhe vonesa të theksuara në ekzekutimin e vendimit gjyqësor, si pasojë e mosarsyetimit në kohë të vendimeve, pra një drejtësi e mohuar.

Duke marrë parasysh eksperiencën e pakët 5 vjeçare në sistem, Inspektori i Lartë i Drejtësisë konkludoi se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit Sh.L, përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore” dhe i propozoi Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c”, ndarja “i” dhe neni 108 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë njohu shkeljen disiplinore dhe caktoi masën “Vërejtje publike” ndaj gjyqtarit Sh. L.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat