Zyrtarisht 130 shtrime të rriturish dhe rreth 10 fëmijë çdo javë janë pasojë e infeksioneve respiratore që po qarkullojnë aktualisht në vend.
Fundi i janarit dhe ditët e para të shkurtit përkojnë me kulmin sezonal të gripit, ndërsa numri total i rasteve arrin në 18 mijë e 500 në javë, shifër që sipas specialistëve mbetet brenda normales.
Epidemiologu Artan Simaku thotë për oranews se virusi dominues është gripi i tipit A ku në të njëjtën kohë po konstatohet edhe bashkëqarkullimi i gripit me COVID-19.
Spitali Infektiv në QSUT raporton rritje të fluksit, ndërsa zonat me numrin më të madh të të prekurve mbeten Tirana, Shkodra, Kukësi, Durrësi dhe Fieri.
Shenjat kryesore që po çojnë pacientët drejt spitalit janë temperatura shumë e lartë që zgjat disa ditë, dhimbjet e muskujve dhe gjendja e përgjithshme e rënduar.
Mjekët paralajmërojnë se ditët dhe javët në vijim mund të sjellin më shumë raste, për shkak të qarkullimit intensiv të viruseve respiratore, ndërsa bëhet thirrje për kujdes të shtuar dhe ndjekje të rekomandimeve shëndetësore.

