9.5 C
Tirana
Wednesday, February 4, 2026

Vizitë pune në Prishtinë, ILD: Promovimi i standardeve etike dhe profesionale ndikon pozitivisht në sistemet e drejtësisë të Shqipërisë dhe Kosovës

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani, zhvilloi një vizitë pune në Prishtinë, ku pati takime me drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe trupën akademike të Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Prishtinës, ku u ra dakord për intensifikimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në të ardhmen, edhe përmes shkëmbimeve profesionale në institucionet respektive.

Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Fejzullah Rexhepi dhe gjyqtarin e Gjykatës Supreme, z. Qerim Ademaj, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani u ndal si fillim tek roli dhe funksionet e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në lidhje me trajtimin e ankesave, hetimet disiplinore dhe inspektimet ndaj magjistratëve.

Kryetari i Gjykatës Supreme e informoi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë rreth funksioneve të Gjykatës që drejton, si dhe kompetencën që Gjykata Supreme ka në trajtimin e ankesave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë, ndaj vendimeve të Komisioneve Disiplinore të Këshillave përkatës. Z. Metani dhe z. Rexhepi vlerësuan se ndërtimi dhe thellimi i marrëdhënieve profesionale mes dy institucioneve kontribuon në promovimin e standardeve etike dhe profesionale në sistemet e drejtësisë së dy vendeve.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi një takim pune në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku u mikprit nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor z. Albert Zogaj, zëvendëskryesuesja e këtij Këshilli znj. Arjeta Sadiku, kryetarja e Komisionit të Performancës së gjyqtarëve znj. Teuta Brahimi, si dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Shkëlzen Maliqi.

Z. Metani e falenderoi z. Zogaj për pjesëmarrjen dhe angazhimin në konferencën rajonale të shërbimeve të inspektimit, që u mbajt në Tiranë në 24-25 shtator 2025, vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira profesionale dhe të përvojave institucionale.

Duke vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin ndërinstitucional, Kryesuesi Zogaj e informoi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë mbi zhvillimet brenda sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës, përfshirë proceset reformuese, avancimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe integritetit, si dhe sfidat me të cilat përballet Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Një ndalesë e posaçme e vizitës së punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Kosovë ishte në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Hasan Prishtina”, me të cilin ILD ka një marrëveshje bashkëpunimi, që në tetor të vitit 2022.

Në takimin me dekanin e Fakultetit të Drejtësisë z. Avni Puka dhe trupën akademike të këtij Fakulteti, u konsiderua si mjaft produktiv bashkëpunimi i deritanishëm, sidomos me vizitat studimore të studentëve të Fakultetit Juridik të Prishtinës në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe u hodhën ide për bashkëpunime në të ardhmen, si një trashëgimi e brezave, por edhe e konsolidimit të institucioneve të drejtësisë, pasi studentët e sotëm janë pjesa e ardhme e sistemit në Kosovë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat