9.5 C
Tirana
Wednesday, February 4, 2026

Asnjë surprizë për shqyrtimin e rastit Balluku, Kuvendi shtyn mbledhjen e Këshillit të Imunitetit do presim vendimin e Kushtetueses

Sikurse përflitej, Kuvendi ka shtyrë mbledhjen e Këshillit të Imunitetit, ku do të shqyrtohej kërkesa për imunitetin e Belinda Ballukut. Sipas socialistëve, është kërkuar shtyrja me pretendimin që të jepej vendimi i Gjykatës Kushtetuese. “Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, nenit 13, pika 5, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, si dhe duke marrë në konsideratë se në mbledhjen e parë të Këshillit, të zhvilluar më datë 19.12.2025, deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim ankimin e qeverisë në një seancë publike më 22 janar, por ende nuk ka një vendimarrje mbi rastin, pasi gjyqtarëve kushtetues iu duhet më shumë kohë. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie. Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”. E pandehur për shkeljet në tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe, SPAK ka dyshime se Balluku duke qenë në detyrë, rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat