Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) informoi se sot mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve. Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve të rëna me intensitet të lartë ditën e djeshme, pritet që sot të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë.
Rrezik të shtuar për përmbytje lokale do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, lumi Vjosa. Lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.
Gjithashtu priten reshje dëbore në zonat në veri, lindje dhe juglindje në territorit. Reshjet e dëborës do të pasohen nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugore.
Dalja e Shkumbinit nga shtrati mëngjesin e sotëm ka përmbytur mbi 30 banesa në fshatin Thanasaj. Banorët shprehen se mbyten sa herë del Shkumbini sepse nuk janë marrë masa për të bërë 500 metra argjinaturë për të mbrojtur fshatin. Ndërkohë qindra hektarë tokë bujqësore janë të përmbytura.
Në lumin Seman, fshati Murriz- Kozare ndodhet nën pushtetin e ujërave të lumit Seman. Ngritja e nivelit të këtij lumi rrezikon shumë fshatra përgjatë argjinaturës. Më e vështirë situata në Imshtë ku uji është pothuaj në nivel me argjinaturën. Deri për momentin nuk ka rrezik çarje të argjinaturës, por nëse prurjet vazhdojnë, ujërat mund të kalojnë argjinaturën.
Gjatë orëve të natës është shënuar një rritje e ndjeshme e nivelit të lumit Ishëm, i cili më herët ishte tërhequr drejt rrjedhës së tij normale. Rritja e papritur e prurjeve ka sjellë përmbytje në disa zona, duke prekur veçanërisht fshatrat Bilaj, Murqinë dhe Malkuç.
Si pasojë, niveli i ujit në këto fshatra është rritur ndjeshëm, duke arritur përsëri kuotat e disa ditëve më parë. Qindra hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë nën ujë, ndërsa situata më problematike paraqitet në dy lagjet fundore të fshatit Murqinë, të cilat janë izoluar plotësisht. Rruga që i lidh këto lagje me pjesën tjetër të zonës është e mbuluar nga uji, me një nivel që në disa segmente kalon 50 centimetra, duke e bërë të pamundur qarkullimin.
Megjithëse reshjet kanë pushuar, banorët shprehin shqetësim dhe dyshime se rritja e nivelit të lumit mund të jetë shkaktuar nga hapja e portave të Bovillës, çka sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e prurjeve në lumin Ishëm.
Ndërkohë, raportohet një përmirësim i lehtë i situatës në fshatin Miliskajë, ku niveli i ujit ka nisur të ulet gradualisht. Banorët e zonave të prekura mbeten në gatishmëri, ndërsa pritet reagimi i institucioneve përgjegjëse për monitorimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme.

