Erion Veliaj mori pjesë sot në seancën paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila u shty për në 5 janar, ora 09:00.
Gjatë seancës, Veliaj foli vetë para gjyqtares Etleva Deda, duke ngritur pretendime për standarte të dyfishta në trajtimin e çështjeve gjyqësore.
Sipas tij, ish-Presidenti Ilir Meta ka marrë materialet e dosjes, ndërsa atij nuk i janë dhënë, gjë që, sipas kryebashkiakut, cenon të drejtën për një mbrojtje të barabartë.
Gjatë seancës ai ripërsëriti kërkesën për heqjen e masës së vendosjes në kafaz gjatë seancave gjyqësore, kërkesë që u rrëzua nga gjykata.
Pas rrëzimit të kërkesës, Veliaj njoftoi heqjen nga mbrojtja të avokatit Artan Gjermeni, ndërsa gjykata caktoi avokaten Valentina Teodoresku si mbrojtëse kryesore.
Veliaj kishte depozituar gjithashtu një kërkesë për të pasur akses të plotë dhe të menjëhershëm në aktet e dosjes dhe për shtyrjen e procedurës deri në garantimin e të drejtave të tij, por kjo kërkesë mbetet për shqyrtim nga gjykata. Ai argumenton se ligji parashikon të drejtën autonome të të pandehurit për të njohur dosjen personalisht, pavarësisht nga mbrojtësi.
Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në datën 5 janar, ora 09:00 gjyqin paraprak ndaj Erion Veliajt dhe të bashkëpandehurve.

