Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, raportoi sot në Komisionin e Ligjeve në lidhje me gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024. Çela u shpreh se viti 2024 ishte mjaft kompleks për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.
“Viti 2024, ashtu si dhe paraardhësi, vijoi të ishte mjaft kompleks për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjitha nivelet, pavarësisht ngarkesës, bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, si dhe intensifikimi e përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale, siç do të shihet në këtë raport”, tha Çela.
Kreu i organit të akuzës theksoi se gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61167 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara.
“Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me rreth 35,5% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 koeficienti i kriminalitetit ka qenë 872. Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Sarandë” tha Çela.
Sa u përket tendencave të kriminalitetit, Çela tha se procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 %, si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33 %. Këto të dhëna, nisur nga karakteristikat e veprave penale, evidentojnë forcim të ndjekjes penale ndaj veprimtarive kriminale që prekin sigurinë ekonomike të vendit, si dhe forcim të bashkëpunimit institucional dhe të sistemit të mbikëqyrjes e kontrollit.
Po ashtu shtoi se ka një rritje të procedimeve të regjistruara edhe për krimet kundër jetës të kryera me dashje me 21,72 %, për veprat kundër lirisë së personit 30,59 %, për krimet seksuale gati 30%, për veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit pothuaj 29 %, për veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes rreth 18 %. Rritja e numrit të procedimeve në këto fusha, dikton nevojën për ndërhyrje të koordinuara për forcimin e mekanizmave ligjorë dhe socialë të parandalimit, si dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen efektive të kategorive vulnerabël të shoqërisë.

