Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje gjatë një seance gjyqësore.
Sipas raportimeve gjyqtari Kalaja po zhvillonte një çështje administrative për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore kur një person i armatosur ka hyrë në sallën e gjyqit dhe e ka qëlluar me armë.
Përveç gjyqtarit, të plagosur kanë mbetur babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë është identifikuar dhe arrestuar autori i vrasjes së gjyqtarit Kalaja dhe plagosjes së dy personave të tjerë, sipas policisë ai është Elvis Shkambi 30-vjeç.
Familja Shkambi pretendon pronësinë mbi atë godinë, teksa gjyqi i sotëm kishte të bënte me një seancë për masat administrative të dhëna nga përmbaruesi, ku 31 familjet duhet të paguanin nga 500 mijë lekë të vjetra për shkak se nuk kishin liruar godinën.
Astrit Kalaja u emërua gjyqtar në vitin 1993, ka shërbyer si zv.kryetar i Gjykatës së Apelit Shkodër dhe si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2019 u konfirmua në detyrë pas procesit të Vettingut.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.

