Vendimi i parë i marrë nga qeveria Rama 4, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, që u drejtua ng Kryeministri Edi Rama. Ky vendim nuk ishte surprizë pasi Këshilli Bashkiak dy ditë më parë vendosi për shkarkimin e Veliajt, i arrestuar më 10 shkurt, me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë.
Pritet të shihet lëvizja e kryeministrit nëse do ta dërgojë menjëherë vakancën në presidencë, ku Bajram Begaj duhet që të shprehet brenda 48 orëve me një dekret për datën e zgjedhjeve. Apo kryeministri do të presë afatin 15 ditor, kohë deri kur Veliaj ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Kushtetuese. Një ankim i Veliajt, gjë të cilën e ka paralajmëruar, do të bllokonte çdo procedurë të ndërmarrë, nga vendimi i Këshillit Bashkiak, i Këshillit të Ministrave e deri te mbajtja e zgjedhjeve.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave vendosi: Z. Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë, shkarkohet nga kjo detyrë, me propozimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, miratuar me vendimin nr.69, datë 23.9.2025. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend. Në rast se ankimi nuk ndodh, atëherë i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat Presidenti do të duhet t’i shpallë menjëherë sapo të informohet për vakancën.

