I izoluar në qelitë e paraburgimit në Durrës Erion Veliaj pa nga televizori goditjen më të hidhur që pas arrestimit nga familja e tij politike, e cila e braktisi tashmë zyrtarisht, duke e zhveshur përfundimisht edhe nga pushteti politik që të jep Bashkia Tiranë.
shtyrjen drejt humnerës ja dhanë njerëzit që i qëndronin më afër, këshilltarët bashkiakë, bashkëpuntorët e tij, pjesë e skuadrës së Tiranës që jo vetëm nuk guxuan t’i dalin kundër urdhrit të Edi Ramës për ta vrarë politikisht por u bënë bashkë për t’ia refuzuar “Lalit” kërkesën e vetme që artikuloi: të ishte prezent në mbledhje për të folur.
Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit, Megi Fino lexoi një tekst, që ngjante me të njëjtën logikë që përdori edhe Rama në mbledhjen e asamblesë së PS kur njoftoi shkarkimin e Veliajt.

“Ky hap i imponuar nga nevoja urgjente e Tiranës për të ecur përpara nuk është një pranim i pretendimeve të ngritura në procesin penal ndaj kryetarit të bashkisë të cilat i takon gjykatës t’i vlerësojë. Sot ne po kryejmë një detyrim politik dhe moral ndaj qytetarëve të Tiranës duke cliruar Tiranën nga ngërçi i krijuar prej ndalimit pa gjyq dhe të një kohe të paditur të kryetarit të saj” u shpreh Megi Fino.
Pas saj, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Doracaj tha se votimi në komision kishte qenë 12 pro mes antarëve të Partisë Socialiste dhe vetëm 1 abstenim nga opozita.
Ndërkohë opozita ka paralajmëruar votën e saj pro shkarkimit të Veliajt, duke respektuar një kërkesë që e kishin depozituar që në maj të këtij viti.
“Ky është një akt historik. I bashkuam votat tona, jo ne me ju, por ju me ne, pasi kemi katër muaj që ju kemi kërkuar që kjo ditë të ndodhte dhe ju përsëri nuk u ngritët. Por më mirë vonë se kurrë! Faleminderit që e liruat Tiranën. Do doja shumë që ky akt të mos ishte i shkruar kështu si sot, ndonëse do ta votoj me të dyja duart” u shpreh Teliti.
Por ky ishte thjesht një pretekst i pavlerë. Veliaj mungon në detyrë prej më shumë se 7 muajsh dhe më parë socialistët e kishin refuzuar kërkesën e opozitës për shkarkimin e tij.
Vendimi për ta eleminuar Lalin një herë e mirë nga politika u njoftua gjatë fjalimit të Edi Ramës në asamblenë e Partisë Socialiste. Rama foli me tone të buta për Veliajn në asamble, duke thënë se si ishte me “zemër të rënduar” kur flitej për kryebashkiakun dhe se si Lalit “i është mohuar e drejta e gjykimit në liri, i është bërë një gjyq i gjatë, gjysmë të vërtetash në tezgat e pazarit mediatik dhe në pasqyrat e gjykatave sociale”.
Kështu dhe këshilltarët bashkiakë, me një përpikëri ushtarake u mblodhën javën e kaluar në selinë e Partisë Socialiste, në një mbledhje të drejtuar nga Megi Fino, e bija e të ndjerit Bashkim Fino, që iu bashkua partisë pasi i ati ndërroi jetë. Në rrjetet sociale, qarkulluan këto ditë fotot e celebrimit të saj në tarracën e bashkisë së Tiranës, si dëshmi e marrëdhënies së afërt me Veliajn, por në mbledhje u njoftua se shkarkimi do të kryhej këtë të martë me votat unanime.
Në frymën e këtij uniteti u refuzua edhe kërkesa e Erion Veliajt për të qenë prezent në mbledhje dhe për t’i dhënë kohë të përgatitej për mbrojtjen e tij. Fillimisht, Veliaj iu drejtua Këshillit Bashkiak me fjalët se shkarkimi i tij do të ishte një “precedent i rrezikshëm për demokracinë vendore”.


