20.5 C
Tirana
Sunday, September 14, 2025

(Emrat) Goditet grupi i kriptomonedhave në Fier, 6 në pranga, 2 në kërkim! Zbardhet skema e mashtrimit

Policia njoftoi se gjashtë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “XUEX”, ku u godit një rrjet mashtrimesh që funksiononte përmes platformave online dhe kriptomonedhave.

Operacioni u zhvillua nga Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier dhe përfshiu kontrolle të shumta në disa qytete të vendit.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar një skemë të sofistikuar piramidale, ku qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt përmes investimeve që në fakt ishin mashtrime të strukturuara.

Personat e arrestuar dhe të shpallur në kërkim

Arbër Çela, 38 vjeç, nga Lushnja

Emanuel Taullau, 21 vjeç, nga Lushnja

Flavio Mukaj, 23 vjeç, nga Lushnja

Marius Kodra, 28 vjeç, nga Tirana

Brunilda Todi, 38 vjeçe, nga Divjaka

Brunilda Ndini, 38 vjeçe, nga Divjaka

Ndërkohë, u shpallën në kërkim:

Sh., 35 vjeç, banues në Divjakë

Sh., 29 vjeç, banues në Divjakë

Të gjithë personat e përfshirë dyshohen për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”, duke vepruar si agjentë kyç të skemës për rekrutimin e pjesëmarrësve dhe orientimin e investimeve të tyre.

Si funksiononte skema piramidale

Hetimet kanë treguar se rrjeti funksiononte përmes platformave të rreme investimi, ku qytetarëve u premtohej fitim i menjëhershëm dhe i sigurt përmes investimeve në kriptomonedha si USDT dhe TRON. Këto platforma ishin në fakt faqet online ose aplikacione që pretendonin të lejonin qytetarët të “investonin” në mënyrë të sigurt dhe të shumëfishonin paratë e tyre. Por në realitet, ato nuk ofronin investime reale; funksiononin vetëm si një mekanizëm për të marrë paratë e investitorëve dhe për t’i shpërndarë ato mes organizatorëve të piramidës.

Skema kishte strukturë klasike piramidale, ku investitorët udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të rinj për të rritur fitimet e premtuara. Sa më shumë anëtarë të sillje dhe sa më e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të shfaqeshin në llogarinë tënde virtuale. Megjithatë, përfitimet reale shkonin vetëm tek nivelet e larta të piramidës, ndërsa pjesa më e madhe e investitorëve humbnin kursimet e tyre.

Për rekrutimin dhe udhëzimin e pjesëmarrësve, grupi përdorte grupe të mbyllura në aplikacionin Telegram, ku anëtarët merrnin udhëzime mbi mënyrën e investimit dhe transferimit të fondeve. Kjo krijonte një strukturë të kontrolluar, ku informacioni për aktivitetet e paligjshme mbahej larg syve të jashtëm dhe e bënte më të vështirë ndjekjen e rrjedhjes së parave.

Operacioni u zhvillua në qytetet Fier, Lushnjë, Divjakë, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, dhe përfshiu gjithsej 83 kontrolle në persona, banesa dhe biznese.

Gjatë operacionit, u sekuestruan si prova materiale:

50 aparate celularë

11 njësi kompjuterike

1 DVR dhe 2 hardisk

1 automjet

4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1,750 dollarë dhe 340 franga

Po ashtu, u ngrinë 6 llogari kriptomonedhash, të cilat dyshohet se u përdorën për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vazhdojnë dhe qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm ndaj ofertave që premtojnë fitime të menjëhershme dhe të sigurta, të mos lejojnë presionin nga persona të njohur ose dëshira për përfitim të shpejtë t’i bëjë pjesë e skemave piramidale.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat