Fjalimi i plotë i të Ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn në konferencën e OSBE “Lidhja midis trafikimit të drogave të paligjshme dhe krimeve të dhunshme: Prirjet dhe kërcënimet e fundit kombëtare dhe rajonale”
Mirëmëngjes, Kreu i Prokurorisë së Posaçme Dumani, Drejtor Nallabati, Ambasadorë Tarran dhe Kamitsi, miq dhe të ftuar. Faleminderit OSBE-së, Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Ligjzbatimit (INL) të Departamentit Amerikan të Shtetit për organizimin e kësaj konference. Jam e nderuar që jam këtu me ju sot.
Temat e kësaj konference – lufta kundër organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës – janë ndër prioritet më të larta për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, pasi të dyja minojnë sigurinë globale, paraqesin rreziqe për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kërcënojnë stabilitetin në mbarë botën.
Zbatimi i ligjit është një nga thirrjet më të larta të një shoqërie, dhe si oficerë policie, prokurorë dhe hetues me përvojë, ju e dini sa vendimtare dhe e vështirë është lufta kundër organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës Ju falënderoj që rrezikoni jetën tuaj për të sjellë kriminelët para drejtësisë dhe që keni marrë kohë nga puna juaj e rëndësishme për të ndarë praktikat më të mira këtu sot.
Grupet kriminale të Ballkanit janë në gjendje ndryshimi të përhershme dhe të adaptueshme; ato përdorin komunikime të koduara, financa të paligjshme dhe lidhje korruptive.
Ashtu si grupe të ngjashëm në të gjithë botën, janë të dhunshëm, luftojnë për tregje dhe territore, rrezikojnë qytetarët dhe gërryejnë besimin në institucionet publike.
Shtrirja e këtyre grupeve shkon përtej Ballkanit; ato janë në fakt ndërmarrje globale. Grupet kriminale ballkanike janë madje edhe pranë Amerikës, pasi janë gjithnjë e më të përfshira në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut. Siç kanë treguar hetimet, kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut – grupe që përmbytin Shtetet e Bashkuara dhe Evropën me droga të paligjshme.
Krimi dhe drogat e paligjshme kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare dhe Presidenti Trump ka kërkuar që çdo politikë dhe dollar ndihme të çojnë përpara interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump gjithashtu ka udhëzuar qeverinë tonë të punojë drejt eliminimit të plotë të grupeve të krimit të organizuar, dhe ky është fokusi ynë. Për ta arritur këtë, ne do të thellojmë bashkëpunimin me qeveritë që përputhen me këtë nivel fokusi dhe angazhimi. Puna jonë do të bazohet në interesa të përbashkëta konkrete, jo në fraza boshe apo ideologji, siç ka theksuar Sekretari Rubio.
Programet tona të ligjzbatimit në Ballkan theksojnë rezultatet dhe ndarjen e barrës – duke pasqyruar politikën tonë të jashtme “Amerika e Para”. Por, “Amerika e Para” nuk është “Amerika e vetme”. Nëse do të mund të luftonim të vetëm krimin e organizuar dhe narkotikët, nuk do të ishim këtu sot, duke punuar për një zgjidhje rajonale.
Partneriteti ynë me SPAK-un, i ndërtuar mbi një themel besimi dhe angazhimi me Departamentin tonë të Drejtësisë, tregon ndikimin e bashkëpunimit efektiv. Përmes këtij partneriteti, SPAK shënjestron kriminelët këtu dhe në Amerikën e Jugut. Një hetim i muajit korrik çoi në kallëzimin penal të 16 të dyshuarve dhe sekuestrimin e gjashtë tonëve drogë me vlerë 411 milionë euro. Muajin e kaluar, SPAK-u shkatërroi grupe që trafikonin mbi 32 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë.
Puna e SPAK-ut trajton gjithashtu një aspekt tjetër të krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve: financat e paligjshme dhe pastrimin e parave. Shuma të mëdha të ardhurash të paligjshme të pastruara në të gjithë këtë rajon minojnë rritjen reale ekonomike. Këto përpjekje forcojnë sigurinë e Shqipërisë. Ato na ndihmojnë të luftojmë edhe kartelet në pragun e Amerikës që dobësojnë kufirin tonë, që përmbytin komunitetet me drogë dhe që kontribuojnë në emigracionin e paligjshëm në vendin tonë.
Kryeprokurori i Posaçëm Dumani ishte së fundmi në Uashington për të diskutuar me udhëheqjen tonë se si e luftojmë së bashku krimin këtu dhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, partneriteti i ligjzbatimit midis Departamentit tonë të Drejtësisë dhe SPAK-ut nuk u ndërtua brenda natës. Së bashku, duhet të mbrojmë atë që kemi ndërtuar.
SPAK-u është aq efektiv sa pavarësia e tij për të ndjekur kriminelët, pavarësisht se me kë janë të lidhur. Edhe SPAK-u i nënshtrohet ligjeve të Shqipërisë. Bazuar në ligj, Z. Dumani, sado efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet, sepse mandati i tij ka përfunduar. Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme.
Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër.
Shtetet e Bashkuara presin integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm; ashtu siç presim për përzgjedhjen e Drejtorit të ardhshëm të BKH-së.
Ju falënderoj sërish për guximin dhe përkushtimin tuaj ndaj vendeve dhe qytetarëve tuaj. Besoj se kjo konferencë do të forcojë aftësitë tuaja dhe do t’ju ofrojë mjete të reja në luftën tuaj të vazhdueshme dhe të guximshme kundër krimit të organizuar.