29.5 C
Tirana
Monday, September 8, 2025

Institucionet e drejtësisë, “detyrojnë” Ramën do ndjekë procedurat për pakënaqësitë (në disa raste ka të drejtë) ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve

Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale një tjetër vendim të një gjyqtari për një ndërtim pa leje. Ai thotë se deklaratat e tij nuk janë presion, por qeveria nuk do të heshtë më përballë gjyqtarëve dhe prokurorëve “të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare”.

Ai bën thirrje që të mos ngatërrohen qëndrimet ndaj këtyre individëve me qëndrimin ndaj drejtësisë dhe institucioneve të sa, për të cilin thotë se qeveria është e palëkundur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve.

Si shembull, kreu i qeverisë mori gjykatësin Ligoraq. Rama thotë seai vendosi në pak minuta dhe pa praninë e palëve që të mos hapet një kalim i mbyllur nga një ndërtim pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve ku shtrihet një dyqan.

“Gjykatësi Ligoraq me siguri nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit”, shkroi Rama.

Më tej, Rama paralajmëroi se gjykatësi do t’i shtohet dosjes me magjistratë të tjerë dhe të cilët ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë në organet e kontrollit dhe të vetëqeverisjes së gjyqësorit.

“Gjykatësi Ligoraq i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërkohë që ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor”, shton kreu i qeverisë.

Në përfundim Rama kërkoi që ankimimeve të qeverisë t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Edi Rama përmend me emra, prokurorë dhe gjyqtarë që sipas tij kanë dhënë vendime të padrejta në dëm të interesit të shtetit.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat