26.5 C
Tirana
Tuesday, September 9, 2025

I mituri vritet për motive banale nga bashkëmoshatari në Maliq! Arrestohet autori (Në profilin e tij foto me armë dhe mbishkrime gangsterash)

Qyteti i Maliqit është tronditur pasditen e sotme nga një sherr mes të miturish që përfundoi me vrasjen e njërit prej tyre.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur policia dhe ekipet hetimore për të mbledhur të gjitha provat e nevojshme që do të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ende nuk dihet se si ka nisur sherri mes tyre, i cili përfundoi me pas me përdorimin e thikës, që rezultoi fatale për 14-vjeçarin. I mituri 14-vjeçar është vrarë nga bashkëmoshatari i tij gjatë një sherri në një lokal. Ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga thika, për pasojë ndërroi jetë në spital.

Të miturit kanë qenë duke folur fillimisht e më pas kanë nisur të debatojnë, duke vijuar më tej me përdorimin e armëve të ftohta, përkatësisht thikë.

I plagosur ka mbetur edhe autori i vrasjes, i cili ndodhet në spitalin rajonal të Korçës, aty ku po mbahet nën kujdesin e mjekëve dhe mbikëqyrjen e sigurisë policore.

Ai ende nuk ka dhënë asnjë dëshmi për ngjarjen, teksa enigmë mbeten shkaqet që kanë sjellë agravimin e situatës. Të dy të miturit nuk janë nga fshati Pirg, por nga zona afërsi të tij.

Policia e Korçës ka nxjerrë pamjet e arrestimit pas mjekimit në spital autorin e dyshuar të vrasjes me thikë të 14-vjeçarit bashkëmoshatar Erald Xhejo, shtetasin Enedio Guri, 14 vjeç nga fshati Leminot.

Siç shihet në pamjet e mëposhtme, i mituri shoqërohet i kapur nga krahët nga efektivët e Policisë, teksa nxirret nga dera e spitalit dhe futet në furgonin e Policisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 në ambientet e jashmte të një lokali në fshatin Pirg të Bashkisë Maliq.

Dy të miturit, pasi kanë shkuar në ambientet e jashtme të lokalit, kanë filluar një diskutim me njëri-tjetrin, ku më pas debati verbal ka degraduar në dhunë fizike dhe në përdorimin e thikave.

Erald Xhejo ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës, por fatkeqësisht nuk ka arritur dot t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Edhe Enedio Guri mbeti i lënduar, por jo me thikë.

Autori pozonte me armë dhe i dërgonte “mesazh”: Të vij aty kur s’ta pret mendja

Personi që shikoni në foton e mëposhme është 14-vjeçari Enedio Guri nga fshati Leminot i Bashkisë Maliq, i cili akuzohet se pasditen e sotme vra me thikë bashkëmoshatarin e tij, Erald Xhejon nga fshati Zvirinë.  Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Pirg, të bashkisë Maliq.

Sipas fotove të publikuara nga mediat, shihet se autori i dyshuar i vrasjes së 14 vjeçarit pozon me një armë gjahu çifte dhe sipër fotos vendos një mbishkrim duke u shprehur se “Mos më kërko, unë nuk vij.” “Por shfaqem ty s’ta pret mendja”. Në krah ai mban dhe tatuazh një kallashnikov.

Jashtë kamerave, shokët e dy të rinjve tregojnë se midis dy 14 vjeçareve ka patur një konflikt të mëparshëm verbal. Të njëjtat burime jashtë kamerave tregojnë se autori i dyshuar njihet si një adoleshent “i lëvizshëm” duke shkaktuar herë pas here probleme me bashkëmoshatarët.

Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se nuk ka patur një “planifikim” për t’u takuar, por të dy adoleshentët janë gjetur në të njëjtin lokal rastësisht.

Në një moment të caktuar, njeri prej tyre kërkon të sqarohet ndërsa autori i dyshuar ka nxjerrë një mjet prerës nga xhepi dhe e ka goditur bashkëmoshatarin e tij. Policia ende nuk ka gjetur mjetin prerës të dyshuar thikë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat