Erion Veliaj është zyrtarisht i pandehur Prokuroria e Posaçme (SPAK) për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Akuzat do t’i komunikohen zyrtarisht Erion Veliajt, ditën e nesërme, (e mërkurë, 23 Korrik), kur ai do të transportohet nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të SPAK në Tiranë. Po ashtu, ditën e nesërme pritet t’i komunikohen akuzat edhe bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës.
Ndërkohë sot është paraqitur në SPAK biznesmeni Elman Abule, i cili është marrë zyrtarisht i pandehur për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Ai u arrestua fillimisht më 10 Shkurt nga SPAK, por Gjykata e Posaçme e Apelit ia zbuti masën e sigurisë në “Arrest shtëpie”.
Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 Shkurtit në Bashkinë e Tiranës, teksa i është lënë në fuqi masa e “arrestit me burg” nga të tre shkallët e gjyqësorit.
Reagojnë avokatët e erion Veliajt
Avokatët e Erion Veliajt kanë reaguar pasi kryebashkiaku i Tiranës është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, teksa akuzat do t’i komunikohen ditën e nesërme në orën 11:00.
Në reagimin e tyre, avokatët thonë se janë thellësisht të shqetësuar që informacioni u shkon më përpara mediave, se sa vetë personit nën hetim. Sipas tyre, kjo është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë jo ligjore e SPAK për të sugjeruar në publik fajësinë e Veliajt.
Avokatët shtojnë më tej se zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e Veliajt ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar.
Sipas tyre, pas marrjes si i pandehur, Veliajt i jepet për herë të parë mundësinë që të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij.