Alen Sherri ka finalizuar sot transferimin e tij nga radhët e Kaljarit në një tjetër klub italian. Portieri i Kombëtares shqiptare, nga sot është bërë pjesë e klubit të Frosinones, duke kaluar nga Seria A në atë B, por me mundësinë për të qenë një titullar fiks i kësaj skuadre.
Sherri kishte kaluar që dje vizitat mjekësore, por transferimi i tij është bërë zyrtar vetëm sot, pasi Frosinone bëri disa lëvizje të tjera sa u përket largimeve të portierëve që kishte në radhët e skuadrës.
Sherri ka kaluar në formën e huazimit me të drejtë blerje përfundimtare për 1 milion euro nga Frosinone, sipas asaj që raportojnë mediat italiane. Por klubi bëri të ditur se Kaljari gjithsesi ka vendosu edhe kundër-klauzolë. Kjo do të thotë se nëse bindet nga paraqitjet e Sherrit në fund të sezonit dhe Frosinone aktivizon klauzolën, skuadra e Serisë A mund të ushtrojë të drejtën e riblerjes së futbollistit, për një shifër që nuk është bërë publike.