Një shenjë në pjesën e fytit që u konstatua në trupin e pajetë të 23-vjeçarit Renis Dobra, është bërë shkak për ngritjen e dyshimeve të forta se i riu mund të jetë vrarë dhe më pas hedhur së bashku me makinën e tij në ujërat e liqenit të Shkopetit.
Nisur nga këto dyshime, prokuroria e Dibrës që po ndjek rastin e rëndë, ka kërkuar një ekspertim-mjekoligjor të detajuar, duke kërkuar nga mjekët të përcaktojnë nëse Renis Dobra, ka ndërruar jetë për shkak të asfiksisë (mbytja) me mjete të tjera apo për shkak të një aksidenti automobilistik.
Deri në daljen e një konkluzioni shkencor, vetë prokuroria dhe policia e Dibrës janë të dyzuara për të dhënë një version zyrtar se çfarë ka ndodhur realisht me 23-vjeçarin, nëse e kanë vrarë apo ka gjetur vdekjen në aksident.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se një makinë dyshohet se ka shkuar në afërsi të banesës së 23-vjeçarit në fshatin Zenisht, dhe e kanë marrë të riun, duke shkuar rreth 30 kilometër më larg. Aty dyshohet se e kanë dhunuar dhe kanë kërkuar informacione nga ai, por më pas e kanë vrarë.
Për grupin hetimor ka disa pista ku janë përqendruar hetimet. Sipas burimeve, viktima rezulton me precedent të mëparshëm penal për lëndë narkotike në Gjermani, kur ishte në moshën 20-vjeç. Po vlerësohet si pistë, por hetimet janë përqendruar tek ndonjë parcelë kanabisi ose sherri për ndonjë vajzë.
Mbrëmjen e djeshme, babai i viktimës, shtetasi Rufat Dobra kishte bërë kallëzim në komisariatin e Matit ku kishte denoncuar se kishte humbur kontaktet me të birin dhe kërkonte ndihmën e uniformave blu për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkime, ai u gjet i pajetë, teksa sipas Policisë automjeti i të riut dyshohet se ka rënë në liqenin e Shkopetit.
Policia deklaroi në një komunikatë për mediat se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Këto paqartësi formohen edhe për shkak se trupi hetimor, nuk ka në dispozicion makinën me të cilën lëvizte viktima. Pasi mjeti është zhytur disa metra nën ujërat e liqenit të Matit.
Trupi i pajetë i Dobras, u gjend mëngjesin e sotëm në një terren të pjerët, vetëm 10 metra larg ujit të liqenit. Ndërsa makina e tij është fundosur në thellësitë e ujit, ku pritet që policia e Matit të angazhojë polumbarë dhe mjete tërheqëse, për të mundësuar nxjerrjen e makinës së viktimës.
Në vendngjarje policia nuk arriti të gjejë sende personale të viktimës si telefon apo portofol,të cilat dyshohet se mund të jenë fundosur së bashku me makinën në ujë ose të jenë vjedhur nga persona të ndryshim. Ngjarja aktualisht po hetohet në dy drejtime të ndryshme si ajo e një aksidenti të mundshëm dhe tjetra e një vrasje.
Dyshimet e policisë janë tek gjurma e konstatuar në qafë, ku sipas ekspertëve, Dobra mund të jetë mbytur me litar ose tel nga persona të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit dhe më pas është hedhur së bashku me makinën në liqenin e Shkopetit, për të krijuar perceptimin e një aksidenti.