Gjykata e Tiranës dënoi me 2 vite burgim, Edison Haxhiaj, njëri nga tre personat e identifikuar në ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Larushk, ku mbeti i vrarë Gentian Bejtja. Në këtë ngjarje kriminale Haxhiaj, akuzohej për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasje”.
Bejtja u ekzekutua në 15 mars 2024 në seren e perimeve, teksa ndodhej i shoqëruar nga gruaja dhe fëmijët.
Prokurori i çështjes Ritvan Suka, gjatë leximit të pretencës i kërkoi gjykatës deklarimin fajtor dhe dënimin e Haxhiaj me 5 vite burgim.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, gjykata uli masën e dënimit, duke e dënuar Haxhiaj përfundimisht me 2 vite burgim.
Ndërsa dy personat e tjerë Ilirjan Beqaraj alias Brahimi (i arrestuar) dhe vlonjatin Flodian Plaku (në kërkim), akuzohen për “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit” dhe “Falsifikimit të një pasaporte të Kosovës”.
Procesi kundër tyre është ndarë nga Haxhiaj, duke vijuar procedura me gjykim të zakonshëm.
Haxhiu akuzohet se makinën tip “Golf 7” e ka vënë në dispozicion të grupit që kreu vrasjen e Gentjan Bejtjat në 15 Mars 2024, makinë e cila u përdor për të larguar autorët e krimit nga vendi ku ata dogjën makinën tip “Land-Rover”.
Automjeti “Golf 7“, u kap nga policia teksa Edison Haxhiu e çoi për ta larë në një lavazh që ndodhet nga pas TEG-ut.
Makina shërbeu si “thesar” për policinë, në të cilën u gjetën dhe gjurmët biologjike të djersës së, vlonjatit Flodian Plakut, i cili ka qenë në grupin e gjuajtësve me pagesë.
Për policinë dhe prokurorinë e Tiranës, vrasja e Gentjan Bejtjas, lidhet ngushtësisht me planet e tij, Ervis Martinaj dhe ish-deputetit të PS Arben Ndoka, për të vrarë vëllezërit Durim dhe Valter Bami si dhe mikun e tyre Marklen Haka.
Gentjan Bejtja, ishte njeriu që mblidhte informacion dhe mbante të strehuara makinat në Larushk, me qëllim vrasjen e vëllezërve Bami në Nikël.
