Ka nisur në Shkup samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku marrin pjesë liderët e rajonit, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama. Në fokus të diskutimeve është vlerësimi i Planit të Rritjes, propozimet për iniciativa të reja, dhe bashkëpunimi ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
Fjala hapëse u mbajt nga kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski dhe komisionerja për Zgjerim Marta Kos. Mickoski tha se si fqinjë dhe partnerë duhet punuar së bashku për të pasur një rajon më të fortë. Ndërsa Kos, teksa theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së, vlerësoi edhe përparimin e Shqipërisë në negociata. Komisionerja u shpreh se në vjeshtë pritet që të hapet edhe grupkapitulli i fundit me Shqipërinë.
“Shqipëria ka hapur tre grupkapituj gjatë 6 muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.”, u shpreh Kos.
Kryeministri Edi Rama, në nisje të samitit foli shkurt për mediat, ku vlerësoi Planin e Rritjes, i cili sipas tij, po e afron rajonin më pranë BE. Kreu i qeverisë u shpreh krenar për pikat që kanë zbatuar deri më tani. “Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh Rama.