32.5 C
Tirana
Tuesday, July 8, 2025

Vijojnë sulmet ajrore Izrael-Iran, SHBA në prag të përfshirjes në konflikt! Khamenei mban me “gajret” të tijët

Për të disatën dit me radhë, Izraeli dhe Irani vijojnë të kryejnë sulme gjatë natës. Ushtria izraelite shënjestroi bazat bërthamore dhe raketore. Iranianët përdorën raketa hipersonike drejt Izraelit. Raportohet se forcat Mbrojtëse të Izraelit  (IDF) kryen një sulm ajror kundër objektivave ushtarake dhe raketore iraniane, duke përdorur mbi 50 avionë luftarakë për të goditur objekte të dyshuara për prodhim centrifuge për pasurimin e uraniumit dhe impiante prodhimi armësh.

Në një deklaratë, IDF theksoi se operacioni u bazua në “inteligjencë të saktë” dhe është pjesë e një përpjekjeje për të neutralizuar programin bërthamor të Iranit. U shënjestruan gjithashtu fabrikat që prodhojnë komponentë dhe lëndë të para për raketa balistike, arma kryesore sulmuese iraniane në  konfliktin e vazhdueshëm me Izraelin.

Ndërkohë, raketa u lëshuan edhe nga Irani drejt Izraelit në një valë të dytë në më pak se një orë, konfirmoi ushtria izraelite, duke shtuar se disa prej tyre u interceptuan. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit deklaroi se në sulmin e fundit ndaj territorit izraelit përdorën raketa hipersonike Fattah-1. Autoritetet izraelite thanë se mbi 90 persona janë plagosur nga sulmet e fundit iraniane. 

Fattah është raketa e parë hipersonike e zhvilluar nga Irani, e cila u zbulua në vitin 2023. Në atë kohë, kreu i programit hapësinor të IRGC-së, Amir Ali Hajizadeh , e quajti atë “një kërcim brezash” për teknologjinë iraniane të raketave, e aftë të manovrojë si brenda ashtu edhe jashtë atmosferës së Tokës dhe të shmangë çdo sistem mbrojtës.

Irani ka pretenduar se ka “nën kontroll” qiellin e Izraelit pas sulmeve të mbrëmshme.

Në një mesazh drejtuar vendit, koloneli Iman Tajik, zëdhënës i Operacionit Premtimi i Vërtetë 3, tha se “raketat Fatah të gjeneratës së parë” të përdorura në sulm “thyen mburojën mbrojtëse nga raketat dhe tronditën disa herë strehën e sionistëve frikacakë”.

Trump ende nuk ka vendosur

Presidenti Donald Trump ende nuk ka vendosur nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen Izraelit në sulmin ndaj programeve bërthamore dhe ushtarake të Iranit, thanë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për Wall Street Journal.

Burimet thanë se sulmi ishte një nga disa opsione të diskutuara gjatë takimit midis Trump dhe ekipit të tij të sigurisë kombëtare.

Media amerikane raporton se presidenti ende shpreson se kërcënimi i veprimeve ushtarake të SHBA-së do ta çojë Iranin të pranojë kërkesat e tyre në bisedimet bërthamore.

Khamenei mban me ‘gajret’ të tijët

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Khamenei tha se vendi do të vazhdojë t’u përgjigjet sulmeve izraelite dhe nuk do të negociojë kurrë me Izraelin.

“Ne duhet t’i japim një përgjigje të fortë regjimit terrorist sionist. Ne nuk do t’u tregojmë asnjë mëshirë sionistëve”, tha Khamenei në një deklaratë për X.

Të martën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Uashingtoni e di “saktësisht” se ku është Khamenei, duke thënë se ai është i sigurt “për momentin”, ndërsa paralajmëroi se “durimi ynë po shteron”.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli nisi sulme ajrore në shumë vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.

Autoritetet izraelite thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet me raketa iraniane.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat