Autoritetet policore njoftuan se tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë shitur bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi” në rrjetin social Instagram, me çmime disa herë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Pas hetimeve, autoritetet identifikuan dhe ndaluan shtetasit Ledion Metallari, 34 vjeç, Arbi Topi, 23 vjeç dhe Ilir Lokaj, 24 vjeç, të cilët zbulohen se i shisnin biletat me çmime nga 25 mijë deri në 50 mijë lekë të reja. Ndërkohë, shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia njoftoi se “L. M. (34 vjeç), A. T. (23 vjeç) dhe I. L. (24 vjeç) janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë, përfshirë një 16-vjeçar, janë proceduar në gjendje të lirë. Ata dyshohen për shitjen e biletave me çmime shumë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit (FShF). Mësohet se identifikimi i tyre është bërë nga rrjetet sociale pasi reklamonin shitjet e tyre nga 300 deri në 1 000 euro. Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, ndërsa materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”.