27.5 C
Tirana
Tuesday, July 8, 2025

Mori 500 mijë euro, për të organizuar atentat ndaj “Sakatit” dhe “Qorrit”, Apeli i GJKKO-së lë në burg Leonard Luzin (Detaje nga dosja dhe vendimi) 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë ndaj 48-vjeçarit nga Vlora, Leonard Luzi, i cili mban dhe mbiemrat Zejno dhe Sejno, teksa ndryshe njihet me nofkat si “Nard Çami” ose “Daku“.

Ai u arrestua vitin e kaluar në Spanjë në kuadër të operacionit “Rekrutuesi”, pas bashkëpunimit mes autoriteteve të dy vendeve, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK, teksa akuzohet si organizatori i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Inez Hajrullas i njohur me nofkën “Sakati” dhe Ervis Matodashajn i njohur me nofkën “Qorri”.

Mbi Leonard Luzin rëndojnë akuzat për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sipas hetimeve të SPAK, Leonard Luzi kishte rekrutuar vrasësin me pagesë Amarildo Nikolli alias Xhanej, i njohur me nofkën “Shkodrani” për të vrarë në qytetin e Vlorës, Inez Hajrullan dhe Ervis Matodashajn ”. Për të kryer këtë vrasjet, ata janë ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi.

Në dosjen hetimere thuhet se “Shkodrani” do të paguhej 500 mijë euro në total, nga 250 mijë euro për secilin, për të vrarë “Sakatin” dhe Qorrin”.

Leonard Luzi është kushëri nga ana e babait me Erigert Zejno, i vrarë më datë 22 Mars të vitit 2013, në lagjen “11 Janari” në Vlorë dhe vrasja e Inez Hajrullas dhe Ervis Matodashajn do të kryej për hakmmarjen e tij, si dhe për të marrë kontrollin e lojërave të fatit në Vlorë. Pagesa do të kryhej nga një person në Dubai.

Por vrasjet nuk arritën të kryheshin pasi Amarildo Nikolli alias Xhanej u arrestua me pistole me fishekë në fole, gati për qitje, teksa më pas ai u kthye në të penduar të drejtësisë.

Dosja dhe vendimi

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 19.05.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 20 akti, datë 19.02.2025 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit Leonard Luzi (Z., S.), kundër vendimit nr. 04, datë 10.01.2025të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

1.      Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L. (Z., S.), për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 4 (katër) vjet burgim.

2.      Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”  të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit A.N., dhe M.K., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vite burgim.

3.      Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit A.N., dhe M.K., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10(dhjetë) vite burgim.

4.      Ne aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit L.L. (Z., S.) me një masë të vetme  prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.

5.      Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.

6.      Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.L. fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

7.      Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim.

8.      Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit L.L., dhe M.K., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.

9.      Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit, L.L. dhe M.K., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.

10.  Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit A.N. me një masë të vetme prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.

11.  Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.

12.  Në bazë të nenit 28/7 të Kodit Penal si dhe nenit 37/a të K.Pr.Pernale, uljen e dënimit dhe, dënimin përfundimtar të të pandehurit A.N., me 2 (dy) vite e 9 (nëntë) muaj burgim.

13.  Vuajtja e dënimit për të pandehurin A.N. fillon nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një nga Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpuntorëve të Drejtësisë.

14.  Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K. (alias M.I. alias M.M.), për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim.

15.  Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit A.N., dhe L.L., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 7(shtatë) vjet burgim.

16.  Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit, L.L. dhe A.N., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.

17.  Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit M.K.me një masë të vetme prej 10 (dhjetë) vjet burgim.

18.  Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 6 (gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.

19.  Vuajtja e dënimit për të pandehurin fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

20.  Bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale, prova materiale që është:

-një pistoletë e markës PietroBeretta, Mod 92 FS, cal.9, me një selenciator me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin GEMTECH SPRINGFIELD MA U.S BOISE I.D, G.M, 7.9 MMGEMTECH, COM/PATENS dhe 10 fishekë të kalibrit 9 mm, konform nenit 36 të K.Penal, të kalojnë në favor të shtetit.

-Prova materiale:

-një telefon celular i markës Iphone, model A 2221, me numër IMEI *** dhe kartë SIM me numër serial***;

-Një DVR me ngjyrë të zezë me shënimin DigitalVidioRecorder, alhua, me numër serie DHI-XVR108HS-4KL e kamerave të sigurisë së Pastiçerisë ***;

-Një CD me pamjet filmike të pastiçeri ***;

-Një CD me pamjet filmike të Bar ***;

-Një CD me pamjet filmike të hyrjes së Pallatit në afërsi të Shkollës së Mesme ”QemalAtaturk”;

-Një CD e aktit te ekspertimit;

-CD e ardhura nga Kompanitë celulare, të bëhen pjesë e fashikullit. 

21.  Shpenzimet hetimore në masën 37,785 (tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë si dhe ato gjyqësore (sipas proçesverbalit bashkëlidhur), ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.

22.  Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të arsyetuar të këtij vendimi.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

1.         Lënien në fuqi të vendimit nr. 4, datë 10.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;

2.         Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;

3.         Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat