Pas një muaj shumë intensiv me fushatën elektorale, ku çfarë nuk dëgjuam, ku dashuria përqytetarët ishte në muaj mjalti, si dhe pas 24 orë heshtje zgjedhore, qytetarët shqiptarë u drejtohen sot qendrave të votimi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Pas rënies së diktaturës dhe rivendosjen e pluralizmit këto janë zgjedhjet e 11-ta parlamentare në Republikën e Shqipërisë, ndërsa 2.046 kandidatë garojnë për 140 vende në Parlament.
Qendrat e votimit janë hapur në tërësi në orën 07:00 (me disa qv problematike) dhe do të mbyllen në orën 19:00, për të vijuar më tej me procesin e numërimit të votave.
Të drejtën e votës të dielën e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.
Referuar shifrave 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë këtë të dielë. Ndërkohë që 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda.
Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.
Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.
Garues në këto zgjedhje janë 11 subjekte apo koalicionet politike.
Ja numri i tyre në fletën e votimit
1.Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore i drejtuar nga Sali Berisha
2.Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori
3.Lëvizja Atdheu e drejtuar nga Kreshnik Osmani
4.Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Endri Hasa
5.Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama
6.Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e drejtuar nga Adriatik Lapaj
7.Aleanca Kombëtare Shqiptare e drejtuar nga Elena Kocaqi
8.Aleanca Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku
9.Koalicioni Djathtas për Zhvillim i drejtuar nga Dashamir Shehi
10.Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj
11.Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi